Mal i Zi, në Tuz mbahen zgjedhjet vendore

Sot në komunën me shumicë shqiptare, në Tuz të Malësisë, mbahen zgjedhjet vendore ku garojnë 4 koalicione dhe tri forca politike të pavarura. Në koalicionin “Forumi shqiptar” të udhëhequr nga Alternativa Shqiptare e kryetarit aktual të komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, bëjnë pjesë edhe Lidhja Demokratike e Shqiptarëve, Unioni Kombëtar Shqiptar dhe Lidhja Demokratike në Mal të Zi.

Në anën tjetër gjendet koalicioni i gjerë i përbërë nga Partia Demokratike Socialiste, e presidentit aktual Milo Gjukanoviç, Socialdemokratët, Partia Boshnjake dhe Unioni Demokratik i Shqiptarëve. Këto dy lista cilësohen si konkurrentet kryesorë në fitoren e zgjedhjeve vendore në Tuz. Zgjedhjet e së dielës janë të dytat që nga ndarja e kësaj bashkësie lokale nga komuna e Podgoricës në vitin 2018.

Dekada më parë, Tuzi ishte pjesë administrative e Podgoricës, e më pas një nga komunat e kryeqytetit. Banorët e Tuzit pritën gati dy dekada për t’u ndarë në një komunë të pavarur, që ishte kërkesa kryesore politike e spektrit politik shqiptar në Malin e Zi.

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 1180x200

Në zgjedhjet e para, pas ndarjes nga komuna e kryeqytetit, Partia Demokratike e Socialistëve e presidentit Gjukanoviq humbi pushtetin në Tuz, ku deri atëherë kishte një bazë të fortë elektorale dhe mbante pushtetin në këtë komunë. Të dielën për këto zgjedhje do të hapen 30 vend votime, ku të drejtë vote do të kenë mbi 12,000 votues./VOA

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 300x250
Lexo gjithashtu
Total
0
Share