Përmes një komunikate për media Bashkimi Demokratik për Integrim, kërkon proces të barabartë dhe transparrente e jo drejtësi selektive ndaj personave që futen në Listën e Zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Integristët mirëpresim faktin që, institucionet vendore kanë nisur ndjekjen e emrave të sanksionuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit por kërkojnë që ky proces të jetë gjithëpërfshirës.
BDI
“Shembulli më i qartë i një drejtësie të paplotë është figura e ish-zëvendëskryeministrit Koço Angjushev, i cili, ndonëse i futur në listë të zezë, vazhdon të zhvillojë bizneset e tij “më mirë se kurrë”. Nëse institucionet janë të përkushtuara ndaj drejtësisë, atëherë edhe ai duhet të jetë pjesë e këtij procesi, sepse drejtësia selektive krijon përshtypjen e një gjuetie politike dhe supremacie etnike. BDI kërkon një proces të barabartë dhe transparent”, thonë nga Bashkimi Demokratik për Integrim.
Nga koalicioni VLEN, thonë se BDI korrupsionin e ka kthyer në ideologji, ndërkaq abuzimin me pushtetin në mision.
“ Ky është fundi i moralit të tyre, fajësinë e pranojnë, por përpiqen ta relativizojnë e ta ndajnë me të tjerët!”. E vërteta është kjo: BDI është e vetmja parti shqiptare në listën e zezë amerikane. Funksionarët e saj janë të vetmit që akuzohen për korrupsion të lartë, për shkatërrimin e gjyqësorit dhe për bashkëpunim me qarqe antiamerikane”, thonë nga Koalicioni VLEN.
Nga partia opozitare LSDM-ja akuzojnë pushtetin për arratisjen e Grubit. Thonë se nuk bëhet fjalë për lëshime por për çështje të organizuar nga ana e VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së.
“Punonjësi i cili ishte vendosur për kontroll në kalimin kufitar, polici B.J është caktuar në këtë pozitë direkt nga Toshkovski. Ai më parë ishte në detyrë punë që nuk kishte të bëjë me kontrollin e kalimeve kufitare. Informacionin e fundit që e morën dhe e publikojmë sot është se polici B.J është transferuar në kalimin kufitar Bllacë nga stacioni policor i Çashkës me kërkesë të Toshkovskit edhe atë vetëm para disa javëve, përkatësisht në 24 nëntor. A është dërguar qëllimisht ky person në Bllacë që të realizojë diçka që është e nevojshme për Toshkovskin?”, thonë nga LSDM.
Mbrëmë, ministri i brendshëm Pançe Toshkovski tha se MPB-ja disponon video materiale ku shihet qartë shkelje e ligjit dhe procedurave nga një punonjës policie në momentin kur Grubi u arratis. Ai tha se janë siguruar të gjitha provat të cilat janë dorëzuar në Prokurori dhe nesër do të ketë kallëzim penal ndaj policit. /tvklan.mk