Liga e Parë: Fitojnë Shkupi dhe Struga TL – barazojnë Shkëndija dhe Gostivari

KRYESON SHKËNDIJA PARA SHKUPIT DHE STRUGA TL

Dy fitore të skuadrave vendase, dy barazime dhe dy fitore të skuadrave mysafire, me gjithësejt 10 gola të shënuar, është epilogu i ndeshjeve të javës së 11-të në Ligën e Parë të Futbollit.

Në Tetovë, ndeshja interesante përplot me raste, Shkëndija – AP Brera, përfundoi me rezultatin 1:1 Të parët në epërsi kaluan mysafirët me supergolin e Antonio në minutën e 76-të, ndërsa barazoi Adenis Shala në minutën e 79-të.

Sipas trajnerit të “kuqezinjve”, barazimi është epilogu real i kësaj ndeshjeje.

“Mendoj se ishte një superndeshje nga të dyja skuadrat, niveli i tillë apo futbolli i tillë rrit nivelin e kampionatit, një ndeshje e taktizuar nga të dyja skuadrat, me shumë ritëm dhe realisht me shumë raste të krijuara, si njëra si tjetra. Rezultati 1 me 1 ndoshta ishte më i realti, për shkak se edhe ne krijuam shumë edhe kundërshtari krijoi rastet e veta, mendoj që të jenë ndeshjet në këtë nivel, në këtë formë, mendoj se do të rritemi të gjithë.”, tha Ardian Nuhiu.

Kampioni në fuqi, Struga Trim&Lum, në transfertë mundi Makedonia GJP me rezultatin 3:0, me golat që i shënuan Mazrekaj, Gurra dhe Besart Ibraimi.

Në stadiumin e Bashkimit në Kumanovë, Shkupi me golin e Ilievskit, mundi Bregallnicën 1:0.

Ndeshja e dy skuadrave shqiptar, Gostivari dhe Voska Sport, përfundoi me rezultatin e barabartë 1:1.

Në stadiumin Boris Trajkovski në Maxhari, Vardari befasoi ekipin vendas, Rabotniçkin, duke e mundur me rezultat 1:0.

Ndërsa në Kratovë, Sileksi mundi ekipin e Tikveshit 1:0.

Pas javës së 11-të, tabelën e kryesojnë. Shkëndija me 24 pikë, para Shkupit që ka 22 pikë dhe Struga Trim&Lum me 21 pikë.

/Shaban Sinani – Klan Macedonia/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share