Lëvizja Demokratike reagon për kaosin dhe radhët e gjata gjatë pajisjes me dokumente

Nga Lëvizja Demokratike e Izet Mexhitit kanë reaguar ndaj kaosit dhe radhët e gjata nëpër sportelet e MPB-së.

”Departamenti për politikat sociale i Lëvizjes Demokratike shpreh indinjatën e thellë për kaosin e vërtetë dhe makthin e qytetarëve që e përjetojnë rreth pajisjes me dokumentet e identifikimit dhe udhëtimit.

Problemet për caktimin e terminit, radhët e gjata, ambientet e papërshtatshme dhe aspak të dinjitetshme për qytetarët që përjetojnë vuajtje të shumta, janë vetëm disa nga problemet, të cilat kërkojnë zgjidhje, por që nga ana e organeve kompetente neglizhohen në mënyrë të pacipët.

Kushtëzimi i zëvendësimit të të gjitha dokumenteve nuk bëhet me fajin e qytetarëve, të cilët pos që e përjetojnë këtë torturë në vapë të madhe, ata duhet të ndajnë mjete të konsiderueshme nga buxheti familjar, buxhet ky që tashmë është bërë simbol i varfërisë.

Departamenti për politikat sociale i Lëvizjes Demokratike apelon që organet përkatëse të marrin masa urgjente për të krijuar një rend dhe funksionim normal në hapësirat përkatëse të MPB, por njëherit kërkon që të shqyrtohet edhe kërkesa e Lëvizjes Demokratike dhe konstatimi i Avokatit të Popullit se harxhimet për zëvendësimin e dokumenteve duhet t’i bartë shteti, kurse atyre që kanë bërë pagesën, t’u rikthehen mjetet përmes rimbursimit” – thuhet në kumtesën e LD-së.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share