Bilall Kasami, Afrim Gashi dhe Izet Mexhiti me bashkëpunëtorët e tyre kanë themeluar sot Trupin Koordinues të koalicionit Lidhja Evropiane për Ndryshim, përcjell KlanM.
“Lidhja Europiane për Ndryshim, në takimin e sotëm ka formuar Trupin Koordinativ të koalicionit, duke e bërë edhe një hap drejt unifikimit të forcave politike opozitare për të finalizuar përpjekjet e popullit shqiptar në Maqedoninë e Veriut me qëllim mposhtjen e BDI-së së korruptuar dhe kriminalizuar. Ky thellim i bashkëpunimit ka një zotim të qartë politik, sjelljen e ndryshimit duke u profilizuar kështu si shpresa e vetme që mund ta mundësojë këtë synim të shqiptarëve”, thuhet në njoftimin e LEN.
Trupi Koordinativ, siç thuhet, ka diskutuar në lidhje me interesimin e madh dhe bashkëngjitjet e vazhdueshme, që siç thonë, po i bashkohen koalicionit. Kjo gjë, vijon tutje njoftimi, paraqet një tregues inkurajues për punën e këtij koalicioni.
“Është koha e fundit për çdo subjekt politik ose individ të rreshtohet në anën e vullnetit të popullit, ndërsa të gjithë ata që refuzojnë t’i bashkohen Lidhjes, nënkuptohet që haptazi dhe me vetëdije të plotë e mbështetin monopolizimin e pushtetit të BDI-së, duke rrezikuar skajshmërisht fatin e popullit shqiptar, por edhe perspektivën e vendit. Në këtë takim u morën disa vendime të rëndësishme për të krijuar parakushte për zgjedhjet e ardhshme të suksesshme. U vendos të formohen komisione të specializuara, të cilat do të angazhohen në krijimin e politikave të mirëfillta në fusha të caktuara për të përpiluar programin solid zgjedhor të koalicionit për të sjellë fitoren e madhe. Gjithashtu, u vendos që së shpejti të hapet edhe shtabi zgjedhor i koalicionit për ta bërë më efektive dhe efikase fushatën dhe realizimin e qëllimeve të Lidhjes Europiane për Ndryshim”, përfundon njoftimi./KlanMacedonia