ZENDELI: MITREVSKI NUK PREMTOJI PËR ÇËSHTJEN E KSHZ-së
Grupi parlamentar i Lidhjes Europiane për Ndryshim sot mbajti takim me kryetarin e ri të Kuvendit, Jovan Mitrevski, ku biseduan për çështjen e anëtarit të KSHZ-së, të cilin opozita shqiptare po e kërkon për një kohë më të gjatë. Deputeti Fadil Zendeli nga LEN tha se Mitrevski nuk ka dhënë ndonjë premtim konkretë për tejkalim të problemit me anëtarin e opozitës shqiptare.
“Nuk jam optimistë por mundohem të jem racional si grup parlamentar që t’ja japim një mundësi kryetarit të ri të Kuvendit që ditët në vijim të mund të gjejnë një zgjidhje edhe pse jemi të vetëdijshëm partia LSDM, ka qenë pjesë e kësaj bllokade me BDI-në, të gjithë këtë proces që është zhvilluar edhe në seancat plenare dhe në Komisionin për zgjedhje dhe emërime , por thjesht si kryetarë I ri ka mundësi të dëshmoj vetveten që nuk do e ndjek rrugën që e ndiqte ish kryetari i kuvendit I cili haptazi në kundërshtim me ligjin dhe rregulloren e kuvendit e bllokonte procesin e zgjedhjes së anëtarit të KSHZ-së” – tha Fadil Zendeli.
Zendeli shtoi se nëse vazhdon të zvarritet procedura, do të shqyrtojnë mundësinë për padi ndaj kryetares së Komisionit për zgjedhje dhe Emërime, Marija Georgievska.
“Jemi në kontakt edhe me zyrat avokative në Shkup, që të ngrejmë edhe një padi penale ndaj kryetares së Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime, nëse brenda ditëve në vijim ajo nuk e zhbllokon punën e Komisionit dhe nuk lejon që kandidati që është ligjor, kandidati i opozitës shqiptare, z. Abdush Demiri të kalojë” – tha Fadil Zendeli.
Zendeli tha se Partia Demokratike Europiane tashmë po merr pjesë në ekzekutiv dhe si rrjedhojë është pjesë e shumicës parlamentare dhe se PDE-së nuk i takon që të propozojë kandidat për anëtar të opozitës në Komisionin Shtetëror Zgjedhor. /Tvklan.mk/