LEN: Nëse deri më 31 dhjetor nuk zgjedhet kandidati ynë në KSHZ, do të radikalizojmë veprimet

“ALEANCA PËR SHQIPTARËT TË VENDOSË MË SHPEJTË – ME NE OSE ME BDI-NË”

Lidhja Evropiane për Ndryshim i ka dhënë ultimatum shumicës parlamentare që deri më 31 dhjetor të zgjedh kandidatin e tyre për anëtarë të KSHZ-së, në të kundërtën, do të radikalizojnë veprimet e tyre, percjell KlanM. Zëdhënësi i Alternativës, Orhan Murtezani, që është pjesë e koalicionit opozitar, tha se nuk mund të zgjidhet Zulfi Adili, pasi është anëtar i një partie politike e cila është formuar rishtas, ndërsa sipas ligjit, shtoi ai, opozita definohet në zgjedhjet e fundit parlamentare.

“Ne sot kemi alarmuar të gjithë faktorët ndërkombëtar dhe u kemi thënë se, mjetet tona demokratike për të luftuar këtë fenomen i cili po mundohet që t’i montojë mjetet fer dhe demokratike në zgjedhjet e majit janë kah fundi dhe në qoftë se ne hasim edhe më tej në vesh të shurdhër, ashtu siç paralajmëruan edhe kryetarët do të jemi të detyruar që të radikalizojmë veprimet tona”, tha Orhan Murtezani.

Në lidhje me bashkëpunimin e mundshëm parazgjedhor me Aleancën për Shqiptarët, Murtezani shtoi se, vazhdon komunikimi në nivel të liderëve.

“Koha më është duke u përfunduar dhe Aleanca për Shqiptarët këtë vendim duhet ta marrë sa më shpejtë të jetë e mundur dhe të vendosë nëse do të jetë me zërin e opozitës, pra me zërin e votuesve të vet ose do të jetë bashkë me Bashkimin Demokratik për Integrim”, tha Orhan Murtezani.

Sa i përket zgjedhjeve presidenciale, ai tha se tani për tani po bisedohet me një numër të caktuar kandidatësh, mirëpo ende nuk ka një vendim përfundimtar se cili do të jetë kandidati i tyre për  president të shtetit./KlanMacedonia

Lexo gjithashtu
Total
0
Share