Sulmuesi e mbyll vitin në Infermieri, humbet sfidat me Lecce e Genoa
Eliminimi nga Kupa e Italisë përballë Bolonjës nuk ishte lajmi i vetëm i keq për Interin. Sulmuesi kryesor i zikaltërve, Lautaro Martinez u largua i dëmtuar, duke ngritur alarmin për një mungesë të gjatë.
Por, nga ekzaminimet e fundit mjekësore, argjentinasi nuk ka pësuar ndonjë dëmtim të rëndë dhe mungesa do të jetë vetëm dy javore. Tendosja e muskulit të kofshës së majtë do i kushtojë mungesë në dy ndeshjet e radhës në kampionat, ndaj Lecce dhe Xhenoa.
Në favor të tij është pushimi për shkak të festave të fundvitit, fakt që ndihmon edhe skuadrën pasi nuk do të privohej për shumë gjatë nga shërbimet e yllit të ekipit. Ndërkaq, në fushë Martinez do të rikthehet vitin e ardhshëm.
Golashënuesi aktual i Serie A ka shënuar 15 herë në 16 ndeshje të kampionatit deri më tani këtë sezon dhe është afër rinovimit të kontratës me zikaltërit, për tu bërë edhe më i paguari në ‘Giuseppe Meazza’. Marrëveshja e tij aktuale me skuadrën nga Milano skadon në qershor 2026, por ai pritet të zgjasë qëndrimin e tij në klub edhe për dy sezone të tjera deri në qershor 2028.
Klan News