Mijëra njerëz në Rusi kanë nderuar për herë të fundit Mihail Gorbaçovin, liderin e fundit sovjetik, i cili ndërroi jetë të martën në moshën 91 vjeçare. Ai do të varroset sot në Moskë në prani të …., por jo edhe të Presidentit të Shtetit Vladimir Putin.
Njerëzit që bëjnë homazhe për orë të tëra kalojnë pranë arkivolit të hapur me kufomën e Mihail Gorbaçovit, e ekspozuar në Shtëpinë e Sindikatave në Moskë, sipas shembullit të ish-liderëve tjerë sovjetik raporton KlanM.
Varrimi nuk do të bëhet me nderime shtetërore, ndërsa Presidenti aktual i Rusisë, Vladimir Putin nuk është në mesin e të pranishmëve, për shkak të “angazhimve të shumta”, siç njoftuan nga kabineti i tij. Në sallë janë të pranishëm familjarët e Gorbaçovit, vajza dhe mbesa e tij, të cilat do ta dërgojnë në varrezat ku për më shumë se dy dekada prehet bashkëshortja e tij Raisa.
Gorbaçovi nga Rusia nga një pjesë e madhe e njerëzve është akuzuar si njeriu që nxiti reformat të cilat shkaktuan kaos ekonomik në vend dhe shkatërrimin e Bashkimit Sovjetik. Pjesa tjetër konsiderojnë se “ai u ka dhënë shans rusëve, por ata nuk e shfrytëzuan”. Fakti që aq shumë rusë vendosën të bëjnë homazhe para kufomës së tij dhe ceremonia e varrimit u prolongua, flet se Gorbaçovi megjithatë po largohet si politikan i respektuar.
Në botë Gorbaçovi respektohet si lider liberal, i cili pas ardhjes në pushtet në vitin 1985 me hapa të guximshëm e hapi Bashkimin Sovjetik dhe ndihmoi në rrëzimin e “perdes së hekurt” në mes Lindjes dhe Perëndimit. Megjithatë ai nuk arriti që në vitin 1991 ta parandalojë shkatërrimin e Federatës Sovjetike. Pasi u bë publik lajmi për vdekjen e tij, shumë krerë të shtetit nëpër botë bënë nderimet e tyre, në mesin e të cilëve Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guteresh, i cili theksoi se “Gorbaçovi e ndryshoi kursin e historisë” dhe Presidenti Amerikan Xho Bajden, i cili e ka quajtur “lider të rrallë”. Në ceremoni si lider i vetëm nga bota që udhëtoi në Moskë, mori pjesë Kryeministri Hungarez Viktor Orban./KlanMacedonia/