SHKARKIMI I MINISTRAVE
Përçarja në Aleancën për Shqiptarët rezultoi me ndryshime kadrovike në përbërjen qeveritare. Pas vetëm 10 ditëve të zgjedhjes së Qeverisë Teknike me Kryeministër Talat Xhaferin, u shkarkuan Ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti dhe ai për Shoqëri Informatike dhe Administratë, Azir Aliu.
Shumica parlamentare me 62 vota “për” pranoi propozimin e Kryeministrit për shkarkimin e dy ministrave të ASH-së, të cilët pas zhvillimeve në këtë parti u rreshtuan në krahun e Kryetarit Arben Taravari.
Para votimit, që ndodhi mbrëmë vonë dhe ku nuk mori pjesë opozita, Kryeministri Talat Xhaferi sqaroi se ndërrimi I dy ministrave nuk është për shkak të mënyrës se si e kanë kryer funksionin, por për shkak se në Qeveri nuk mund të ketë përfaqësues të dy partive opozitare.
Seanca parlamentare që zgjati me orë të tëra kaloi në atmosferë të akuzave të ndërsjella mes pushtetit dhe opozitës.
Pas shkarkimit të Ministrave, “beteja” u zhvendos nëpër rrjetet sociale.
“Kryeministri i parë shqiptar i Qeverisë shkarkoi dy ministra të VMRO DPMNE-së e cila i mbrojti me mish e me shpirt sot në Kuvend. Natën e mirë, gjumë të ëmbël, flini të qetë gjersa për të gjithë ne kujdeset Ali Ahmeti” – shkroi Zv/Kryeministri Artan Grubi në Facebook.
Janë kundërpërgjigjur dy ministrat e shkarkuar.
“Artan…leri kërcënimet, bëj ca ditë pushim nëse të ndihmon dhe mos e ndiz situatën. E kuptoj që është fundi yt, por të paktën në fund trego burrni! Dhe…hape kalendarin…shiko 8 Majin! Afër…shumë shumë afër!” – shkruan në Facebook, Ministri i shkarkuar Fatmir Mexhiti.
Zhvillimet në Kuvend dhe shkarkimi i dy ministrave është reflektuar edhe në komunikatën partiake të LSDM-së.
Socialdemokratët thonë se VMRO-DPMNE mbroi Ministrat e Taravarit por nuk kishte qëndrim dhe nuk votoi për ministrat e saj në Qeverinë teknike.
“I gjithë diskutimi në Kuvendin maqedonas për zgjedhjen e Qeverisë Teknike kaloi me një fjalim të një deputeti dhe përfundoi për disa orë. Por, deputetët e DPMNE-së dje ashpër i mbrojtën ministrat e shkarkuar të Taravarit. Përse DPMNE nuk tha asnjë fjalë për ministrat e saj?” – thonë nga LSDM.
Kryeministri Xhaferi për ministra të rinj ka propozuar Ilir Demirin në Shëndetësi dhe Naim Bajramin për Shoqëri Informatike dhe Administratë.
Votimi për zgjedhjen e tyre do të mbahet të hënën në seancën e ardhshme parlamentare. /tvklan.mk/