JANË DORËZUAR GJITHSEJ 204 AMENDAMENTE
Filloi diskutimi për rishikimin e buxhetit, ndërsa ndaj të njejtit tashmë janë dorëzuar gjithësej 204 amendamente kryesisht nga partitë opozitare. Deputetët e shumicës parlamentare theksojnë se ky është një dokument shumë i rëndësishëm që ka për qëllim vazhdimin e masave të deritanishme dhe politikave për ballafaqim me pasojat e krizës botërore dhe ekonomike. Nga shumica parlamentare i bëjnë thirrje opozitës që siç thonë, të vendosin interesat e qytetarëve në vend të parë, të mos bllokojnë dhe të jenë më konstruktiv gjatë sjelljes së këtij ribalanci.
”Në këtë mënyrë sigurohen 76 milion euro për mbështetje të qytetarëve dhe ekonomisë si dhe në mënyrë shtesë 52 milion euro për mbështetje të bujqëve, për rritje të pagave dhe pensioneve. Kjo nënkupton se në buxhet janë siguruar mjete për masa të reja që do të kenë për qëllim ndihmën e qytetarëve, harmonizim e pagave për përdoruesit e buxhetit me rritjen e pagave minimale si dhe me rritjen e pensioneve nga muaji shtator” – tha Marija Georgievska, deputete e LSDM-së.
Por këto thirrje janë të pakuptimta për opozitaren VMRO-DPMNE, koordinatori i këtij grupi parlamentar, Nikolla Micevski thekson se tashmë janë deklaruar në mënyrë aktive se do të punojnë dhe do ta mbështesin këtë ribalanc buxheti.
“Kontradita në deklarata, unë vërtet habitem përse e kishin këtë konferencë për media përfaqësuesit e LSDM-së. Na bëjnë thirrje që të kontribuojmë në punën e ribalancit dhe që ta mbështesim. Ne në mënyrë aktive thamë se do të punojmë dhe do ta mbështesim ribalancin dhe këtë e vërtetojmë me faktin se nga gjithësej 204 amendamentet, 174 amendamente janë dorëzuar nga VMRO-DPMNE, 28 amendamente nga Aleanca, dhe 2 amendamente nga LSDM, po supozoj se janë për çështje teknike dhe nuk ka amendamente të tjera.” – tha Nikolla Micevski, koordinator i VMRO-DPMNE-së.
Nga Aleanca për Shqiptarët do të marrin pjesë në debat për të argumentuar qëndrimet e tyre, por nuk presin që shumica parlamentare të pranojë amendamentet e tyre, prandaj theksojnë se nuk do ta mbështesin rishikimin e buxhetit.
“E dini se në bazë të këtij rishikimi kemi rritje të shpenzimeve publike, kemi rritje të deficitit buxhetor që janë shqetësuese për neve si subjekt politik, për arsye se rritja e shpenzimeve publike kur kemi çmime të larta, kur kemi presion të madh inflacionist edhe më tej e godet inflacionin eedhe më tej jep një impuls për rritjen e çmimeve dhe mendojmë që nuk është në përputhje me deklaratat e tyre se po bëjnë çmos që të ulet inflacioni..07:05 Po po ne nuk do ta mbështesim rishikimin e buxhetit” – tha Elmi Aziri, ASH.
Në ribalancin e Buxhetit janë parashikuar rreth 70 milionë euro për masa anti-krizë, ku sic kanë paralajmëruar nga Qeveria gjatë periudhës së kaluar, do të destinohen për kategoritë më të cënuara të qytetarëve. /KlanMacedonia/