Kurti tregon me foto vendin/ Sveçla: 3 policët u rrëmbyen në territorin e Kosovës, të lirohen urgjentisht!

Si Kryeministri Albin Kurti, ashtu sikurse Ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla janë të bindur se 3 policët kosovarë u rrëmbyen në territorin e Kosovës. Pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë mëngjesin e kësaj të enjteje, ata treguan me foto vendin ku u rrëmbyen zyrtarët policorë. Vend që siç shpjegon Ministri Sveçla është një rrugë e cila është e ndarë në mes me dy gropa të mëdha.

Ndërsa kryeministri Kurti vendin e tregoi me foto. Kurti e Sveçla theksuan se rrëmbimi është kryer nga dy njësitë speciale serbe SAI dhe Kobra, me urdhër nga Beogradi. Bënë thirrje për lirimin e menjëhershëm të policëve dhe kërkuan që ky akt të dënohet ashpër nga ndërkombëtarët. Kurti e Sveçla po ashtu thanë se rrëmbimi i policëve është bërë në shenjë hakmarrje për arrestimin e Millun Millenkoviç, që për qeverinë e Kosovës është kreu i një grupi kriminal.

“Beogradi ndërmori një hap të turpshëm, të pa pranueshëm, të dënueshëm duke rrëmbyer 3 zyrtarë tanë të policisë. Rrëmbimi i ndodhur ditën e djeshme është kryer sipas një plani të planifikuar nga njësiti special antiterror, siç njihet atje SAI, dhe njësiti special i ushtrisë së Serbisë Kobra, në zonën kufitare Bare Tresavë, në komunën e Leposaviçit. Unë ditën e djeshme kam vizituar lokacionin ku ka ndodhur ngjarja, i cili ndodhet rreth 1 kilometër brenda kufirit tonë. Bëhet fjalë për një rrugë ku më herët ka pasur kontrabandë dhe pikërisht ajo rrugë është bllokuar nga ana jonë. Pra rruga është e ndarë në mes me gropë, dy nga këto, një pas një. Dhe ka qenë e pamundur që policët të kalojnë në territorin e Serbisë ashtu siç propaganda e Beogradit thotë. Kjo është pastër një deformim i ngjarjeve në terren për t’i iku përgjegjësisë së tyre, realisht planit të tyre për rrëmbim”.

“Në këtë lokacion, në prapavijë, në territor të Kosovës ka pasur dhe drunj që kanë bllokuar rrugën për të bllokuar njësitë asistuese të policisë së Kosovës. Është e qartë që ky akt kriminal është bërë në shenjë hakmarrje, për arrestimit e kriminelit Millun Millenkoviç. Ajo çfarë është duke ndodhur është sjellje e një Serbie kriminele, e cila me vite e dekada është duke vepruar njësoj. Për ne, kjo është jo vetëm e papranueshme, por është një incident jashtëzakonisht i rëndë. Ky akt kriminal duhet të dënohet ashpërsisht nga faktori ndërkombëtar. Përbën një shkelje të rëndë dhe shfaq edhe njëherë fytyrën e vërtetë të Serbisë. Bëjmë thirrje urgjente për lirimin e zyrtarëve tanë policorë dhe kthimin e tyre në Kosovë”, tha Ministri i Brendshëm, i Kosovës, Xhelal Sveçla./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share