Kurti në Forumin e Paqes: Kosova vend normal, por raportet me Serbinë s’janë normale

Gjatë adresimit të tij në Forumin e Paqes në Paris, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se duhet të normalizohen marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë dhe se në këtë drejtim po përpiqet fort edhe Bashkimi Evropian.

Ai u shpreh se Kosova është vend normal, por që i duhet ta pranojë që marrëdhëniet e vendit të tij me Serbinë nuk janë normale.

“Duhet t’i normalizojmë marrëdhëniet dhe dialogu në Bruksel është dialog për statusin e marrëdhënieve, por jo për statusin e Kosovës. Pra bëhet fjalë për normalizimin e marrëdhënieve, dhe ky normalizim nënkupton marrëveshje përfundimtare ligjërisht obligative me njohjen e ndërsjellë në qendër të saj”, deklaroi Kurti.

Kreu i ekzekutivit tutje u shpreh se mund të ketë edhe pika të tjera në atë marrëveshje, por që njohja e ndërsjellë do të jetë pika qendrore, dhe shtoi se me të si kryeministër, “dialogu me Serbinë është simetrik dhe i barabartë”.

“Jam absolutisht i përkushtuar, konstruktiv e kreativ në gjithë procesin e dialogut. Nga ana tjetër, besoj që Serbia duhet të distancohet së pari edhe nga e kaluara e Millosheviqit dhe nga e tashmja e Putinit, sepse kjo do të na ndihmonte shumë të gjithëve për të arritur marrëveshjen, për t’i dhënë drejtësi viktimave, dhe për ta arritur marrëveshjen e pajtimit për gjeneratat që do të vijnë”, deklaroi kryeministri i Kosovës.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share