Rama: Takim pa Kurtin në Tiranë nuk ka! Kam për borxh ta ftoj, larg qoftë ta kidnapoj…

Kryeministri i vendit Edi Rama ka folur dhe në konferencën e përbashkët me homologun e tij Dritan Abazoviç, sa i takon raportit të tij me kreun e qeverisë kosovare Albin Kurti.

Rama u shpreh se e sheh shumë të rëndësishme praninë e Kurtit në takimin informal para samitit të Tetorit. Ai ritheksoi se ka bërë përpjekje deri në moment të fundit për ta takuar Kurtin dje në Prishtinë.

 

“Glauk Konjufcën kam kaluar aq mirë sa s’ka pësuar asnjë lëndim, nuk mund të ankohet. Po më mirë pyesni Albinin, ndërsa përsa i përket pse nuk u takuam ju siguroj se unë kam bërë çmos deri në minutën e fundit, ai ka arsyet e veta, un s’dua ta interpretoj “pse-në” sepse ai është në një tjetër botë dhe unë e kuptoj sikletin e asaj bote, thjesht mendoj se kjo bota ku jam unë është më e madhe se ajo ku është Albini, ai është shkëputur dhe është futur në një botë që është e mbyllur, por respekt gjithsesi në hallin ku është. Unë kam për borxh ta ftoj, nuk kam për detyrë ta sjell, larg qoftë ta kidnapoj unë dhe të futem në listën e atyre që janë kriminelë për hir të Serbisë, e përfytyroni po ta mar Albinin në Tiranë se ça bëhet, takim pa kryeministrin e Kosovës në Tiranë nuk ka, kështu e kuptoj unë rëndësinë e tij sa i takon procesit të Berlinit. Por nuk përjashtoj se mund të mos vijë, por them që do vijë”deklaroi Rama.

Kryeministri po ashtu mohoi të ketë diskutuar për draft asociacionin me Glauk Konjufcën.

Unë me Glaukun kemi pasur një bisedë fantastike. Unë flisja, Glauku qeshte. Nuk kemi folur asnjë fjalë për draftin e asociacionit. Pse i tha Glauku ato jashtë duhet të pyesni Albinin që nuk ishte në takim, jo Glaukun. Glauku nuk di fare ça është drafti, di çfarë duhet të thotë para kamerave, pasi është konsultuar me Albinin, pavarësisht se me kë ka qenë përpara. Sepse kështu funksionon demokracia në qeverinë e Kosovës dhe unë e respektoj. Është vendi më demokratik në Ballkan, siç thotë Albini”.

/tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share