Vuçiç: Qëllimi i Perëndimit është njohja e Kosovës
Pesëshja e diplomatëve të SHBA, BE, Gjermanisë, Francës dhe Italisë që vizituan të shtunën Prishtinën dhe Beogradin, kërkuan që palët të ulin tensionet dhe të gjejnë rrugën e dialogut. Por reagimet në të dy kryeqytetet pas largimit të përfaqësuesve ndërkombëtarë kanë qenë të ndryshme. Kryeministri Kurti thotë se pas sulmit në Banjskë, Kosova të të tjera përparësi dhe se dialogu duhet të ketë një qasje të re.
“Pas sulmit terrorist të 24 Shtatorit, me sponsorizimin dhe pjesëmarrjen e Serbisë, siguria e kufirit tonë ka përparësi. Në dialog nevojitet një qasje e re. Falënderoj dhe vlerësoj 5 emisarët për planin e tyre të ri për të ecur përpara”.
Në krahun tjetër presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç e cilësoi si të vështirë takimin. Në një intervistë për mediat vendase këtë të dielë, ai tha se qëllimi i vetëm i Perëndimit është njohja e Pavarësisë së Kosovës.
“Natyrisht, gjithçka rreth Kosovës është tejet e vështirë për ne. Njerëzit mendojnë se kjo është vetëm për shkak të Banjskës, por nuk është ashtu. Për ne ishte e tmerrshme në aspektin taktik dhe prodhoi pasoja të caktuara, por në kuptimin strategjik, qëllimi i vetëm i tyre është që ne ta njohim Kosovën”.
Vuçiç tha se pret që në fund të javës së ardhshme të ketë një rinisje të dialogut Prishtinë-Beograd në Bruksel. Një gjë e tillë nuk ka ende një konfirmim nga Prishtina. Emisarët Perëndimorë kërkuan nga Qeveria e Kosovës ngritjen e Asociacionit, ndërsa Serbisë që të bashkëpunojë për zbardhjen e ngjarjes në Banjskë.
Tv Klan