Kosova nënshkruan aplikimin për anëtarësim në BE

Kosova ka aplikuar këtë të mërkurë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian. Në ceremoninë e nënshkrimit të aplikimit për anëtarësim në BE morën pjesë presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca.

Në fjalën e tij, kryeministri Kurti tha se ky moment është historik. Ai u shpreh se aplikimi do t’i dorëzohet Presidentes çeke të Këshillit të BE-së në Pragë. Sipas Kurtit, ky moment synon hapjen e një kapitulli të ri për shtetin dhe shoqërinë në Kosovë.

“Bazuar në aspiratat, vullnetin dhe përkushtimin e pathyeshëm të popullit tonë, për paqe, liri, barazi dhe drejtësi orientimin tonë të qartë europian dhe euroatlantik, besimin në vlerat fondumentale të BE-së konsesusin shoqëror dhe politik se e ardhmja e vendit tonë është brenda BE-së sot po bëjmë hapin e parë drejt anëtarësimin në organizatën më të madhe të paqes dhe prosperitetit në Europë, BE. Aplikimi për anëtarësim në BE të nënshkruar sot nga krerët e institucioneve të Republikës sonë, do t’ia dorëzojmë presidentes çeke të Këshillit të BE-së në Pragë. Është ky një moment historik për vendin tonë që synon hapjen e një kapitulli të ri për shtetin dhe për shoqërinë tonë. Progresi do të varet nga përkushtimi ynë për reforma të thella dhe transformuese të cilat e avancojnë demokracinë, e forcojnë sundimin e ligjit dhe zhvillojnë ekonominë tonë. Shpejtësia me të cilën do të ecim do të varet nga ne. Prandaj angazhimi i të gjithëve është i nevojshëm dhe përkushtimi i secilit, i domosdoshëm. Ne do të ecim përpara në meritën tonë, pra në aftësinë tonë për të përmbushur kriteret në secilin kapiutll të ri. Pengesat dhe sfidat drejt anëtarësimit i kalojmë me zhvillim demokratik dhe progres shoqëror”, u shpreh Kurti.

Osmani tha se me nënshkrimin e aplikimit, Kosova po shkon një hap më afër drejt Bashkimit Evropian.

Presidentja Vjosa Osmani

“Sot është një ditë historike. 14 Dhjetori nga sot ka një rëndësi të dyfishtë në historinë moderne të Kosovës. Në njërën anë po shënojmë aplikimin për anëtarësim në BE dhe në anën tjetër kemi përvjetorin e Ushtrisë së Kosovës. Së bashku me Konjufcën dhe Kurtin, në emër të Republikës së Kosovës po marrin një hap vendimtar drejt jetësimit të ambicies sonë të patjetërsueshme. Ne sot po e sjellim Kosovën një hap më afër BE-së. Për Kosovën dhe qytetarët e saj nuk ka pasur asnjëherë alternative tjetër, ëndrrat bëhen realitet vetëm kur punohet dhe veprohet. Ky akt i dedikohet të gjithë qytetarëve të vendit tonë.Ky moment i dedikohet çdo fëmije, gruaje e burri të Kosovës që sakrifikuan jetën dhe që u përballën padrejtësisht me gjenocid e okupim. Shteti më i ri në kontinentin më të vjetër, vend i pluralizmit politik, Kosova e ekonomisë së tregut të lirë, e meriton të jetë pjesë e familjes së BE-së. Rruga jonë përpara është e qartë, procesi mund të jetë afatgjatë, por ne do ta bëjnë punën tonë, në mënyrë që BE-ja ta ketë më të lehtë ta bëj punën e saj”, u shpreh Osmani.

Ndërsa Konjufca u shpreh se, “Ky është hapi i parë zyrtar në rrugën e anëtarësimit të Kosovës drejt Bashkimin Evropian, një rrugë e cila ishte më të vërtetë e gjatë dhe aspak e lehtë. Ky rrugëtim kalon përmes Komisionit Evropian nga i cili presim që t’ia rekomandojë Bashkimit Evropian, t’ia jap Kosovës statusin e merituar. Por, kuvendimi u takon megjithatë qeverive të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian të cilat gjithashtu i ftojmë të veprojnë unanimisht dhe për ta dhënë miratimin e tyre”.

Kosova deri më tani ka vetëm një marrëveshje kontraktuale me BE-në, përkatësisht Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit.

Nga 27 shtetet anëtare të bllokut, pesë prej tyre ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Shtetet mosnjohëse janë: Spanja, Rumania, Qiproja, Greqia dhe Sllovakia./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share