“JANË BËRË DHJETË DITË QË KUR JANË BARRIKADUAR RRUGËT NË VERI TË KOSOVËS”
Janë bërë dhjetë ditë që kur janë barrikaduar rrugët në veri të Kosovës që të shpiejnë në dy pikat kufitare me Serbinë atë të Jarinjës dhe Brnjakut.
Kryeministri Albin Kurti ka sqaruar se KFOR-i ka kërkuar edhe pak kohë që të lejohet të qëdrojnë barrikadat në veri të vendit por ka thënë se kjo gjë nuk do të tolerohet shumë gjatë.
“KFOR-i ka kërkuar edhe pak kohë prej neve, pra ne jemi në, koordinim, komunikim të rregullt të vazhdueshëm intensiv me KFOR-i dhe padyshim nuk do të mund të tolerohen shumë gjatë barrikada të tilla, por mos harroni ajo çfarë po bëjnë strukturat ilegale të Serbisë të shndërruara në banda kriminale tash së fundmi është fillimi i fazës së fundit të tyre. Shteti kurrë nuk ka qenë më në binarë” – tha Kurti.
Sipas tij kërkesa e Serbisë drejtuar KFOR-it për futjen e ushtrisë serbe në veri dëshmon pafuqinë e tyre.
”Natyrisht që NATO do të jetë kundër e po ashtu edhe ata e kuptojnë shumë mirë se nuk kanë ku të vinë në Kosovë ata ushtarë të gjorë serbë, të cilët këta pretendojnë se t’i sjellin në vendin tonë. Pra më shumë është shprehje e pafuqisë sesa fuqisë së tyre” – tha Albin Kurti.
Duke folur për protestën në Jarinjë u shpreh i bindur se ata që po synojnë të destabilizojnë Kosovën do të dështojnë.
”Nuk mund të them që bëhet fjalë për protestë civile atëherë kur ka njerëz të armatosur aty të cilët dëshirojnë që të kthehet Kosova në vitin 1999, dhe të cilët mbajnë edhe parulla e fotografi të presidentit despotik Putin. Pra, ata të cilët dëshirojnë që Serbia të jetë Rusi dhe në të njëjtën kohë synojnë që ta destabilizojnë Kosovën do të dështojnë gjithmonë ashtu siç dështuan edhe dje. Synimi i tyre ishte të hynë në Kosovë, nuk ishin në numër çfarë ata e kishin menduar” – tha Albin Kurti.
Derisa barrikadat vazhdojnë jeta në veri të vendit vazhdon të jetë e bllokuar.
Në fillim të sheshit këtu në Mitrovicë të veriut gjithcka është e qetë madje asnjë lokal nuk punon, madje edhe lëvizjet e qytetarëve serb janë shumë të rralla.
Përgatiti: Blerta Dalloshi Berisha