Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) sot me katër vota “për” dhe dy “kundër” miratoi Udhëzim për mënyrën e konfirmimit të identitetit të votuesit, me të cilin konfirmohet se vetëm një herë do të mund të shkohet në vendvotimet për votim në zgjedhjet e dyfishta më 8 maj – parlamentaret dhe në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.
Udhëzimi me propozim të tre anëtarëve të KSHZ-së e sqaroi Boris Kondarko i cili theksoi se kjo vlen vetëm në raste kur ka zbatim të dy ose më shumë llojeve të ndryshme të zgjedhjeve dhe referendum në të njëjtën ditë.
“Me këtë udhëzim propozohet që pas ushtrimit të të drejtës së votimit dhe pasi kanë votuar qoftë për zgjedhjet presidenciale apo vetëm ato parlamentare, qytetarët të mos mund të vijnë sërish në qendrat e votimit gjatë ditës dhe të votojnë për atë lloj zgjedhjeje në zgjedhjet për të cilat nuk kanë votuar dhe për të cilat nuk e kanë ushtruar më parë të drejtën e dhënë për të votuar. Me këtë udhëzim të propozuar, këshilli zgjedhor detyrimisht do t’i pyesë qytetarët se për çfarë lloj zgjedhjesh duan të votojnë, dhe qytetarët kanë të drejtë të zgjedhin dhe të deklarojnë se për cilin lloj zgjedhje do të votojnë, vetëm për zgjedhje presidenciale, vetëm për parlamentare, ose edhe për zgjedhjet presidenciale dhe presidenciale”, tha Kondarko.
Ai vlerësoi se me rregullimin se qytetarët munden vetëm një herë të vijnë në vendvotim dhe me mundësinë që sipas dëshirës personale të përcaktohen për cilin lloj të zgjedhjeve duan të votojnë nuk bëhet kurrfarë diskriminimi i të drejtave për zgjedhje të lirë dhe përcaktim të qytetarëve, gjegjësisht nuk kufizohet ose nuk ulet e drejta e tyre e votës.
Përkundrazi, theksoi, me udhëzimin e tillë mbrohet e drejta dhe përcaktimi i lirë i qytetarëve dhe mbrohen vetë qytetarët nga manipulimet e mundshme, presionet dhe keqpërdorimet e vullnetit të tyre. Njëkohësisht, jo vetëm që nuk kufizohen të drejtat e votuesve, por të njëjtat të drejta mbrohen nga ana e KSHZ-së sepse eliminohen edhe çfarëdo lloj mundësish që dikush t’i evidentojë qytetarët të cilët kanë ardhur në vendet e votimit që t’i kontrollojë se për cilin lloj të zgjedhjeve kanë votuar dhe pastaj eventualisht gjatë ditës t’i detyrojë përsëri të dalin dhe të votojnë për llojin tjetër të zgjedhjeve.
Me zgjidhjen e tillë Kondarko tha se do të pamundësoheshin turma dhe pritje në radhë për votim para vendvotimeve që do të ishte rast nëse qytetarët vijnë nga dy herë gjatë ditës që të votojnë.
“Kjo është edhe në interes të vetë qytetarëve, por edhe e organeve zgjedhore të cilët do të munden që të punojnë në mënyrë më efikase dhe më shpejtë, por edhe do të shmangeshin mundësitë për gabime eventuale teknike ose të paqëllimshme nga ana e këshillave zgjedhorë që do të ishte në dëm të qytetarëve, por edhe pa nevojë do të kishte pasqyrë negative për organizimin e votimeve për çka është përgjegjëse KSHZ-ja”, theksoi Kondarko.
Gjatë debatit, shumica në KSHZ nuk e pranoi propozimin e anëtarit Boban Stojanovski që votuesve tu mundësohet që gjatë ditës përsëri të kthehen dhe të votojnë sepse, siç tha, tani ka kushte teknike, gjegjësisht me pajisjet për identifikim biometrik ekziston mundësia që votuesi të identifikohet për çdo lloj të zgjedhjeve në veçanti dhe të mundet këtë të drejtë ta realizojë gjatë gjithë ditës së zgjedhjeve.
“Duke qenë se përballemi me dy lloje zgjedhjesh që mbahen në të njëjtën ditë dhe që përfaqësojnë procese të veçanta zgjedhore, votuesit do të votojnë veçmas për çdo lloj zgjedhjeje, për rrjedhojë është logjike dhe kushtetuese që t’i jepet e drejta e zgjedhjes votuesve që të vendosin për çfarë lloj zgjedhjesh do të votojnë dhe kur do të vijnë në qendrën e votimit. Tani që i kemi kushtet teknike, mendoj se nuk është dashur ta hapim fare temën, por t’u mundësohet votuesve të ushtrojnë lirisht të drejtën e tyre, pra t’u mundësohet të votojnë për llojin e zgjedhjeve që duan, kështu që nëse gjatë ditës ndërrojnë mendje, t’u mundësojmë që të kthehen sërish në vendvotim”, tha Stojanovski.
Ai vlerësoi se me propozimin nga Kondarko ekziston mundësia që të diskriminohen votuesit për arsye që një votues do të mund të zgjedh se për cilat zgjedhje do të votojë vetëm në momentin e njëjtë kur do të vijë në vendvotim.
“Në këtë mënyrë diskriminohen votuesit të cilët në atë moment do të vendosin të votojnë vetëm për një lloj të zgjedhjeve, ndërsa nëse ndërrojnë mendje gjatë ditës së zgjedhjeve dhe kthehen në vendvotim këtë do ta kenë të ndaluar”, tha Stojanovski.
Ai nuk mori mbështetje që në udhëzimin e propozuar të bëhet ndryshim në nenin 4 paragrafi 6, neni 5, paragrafi 2, neni 5 paragrafi 4 dhe në nenin 5, paragrafi 6 me të cilat do tu mundësohet votuesve të cilët gjatë ditës do të vijnë dhe do të votojnë të munden të vijnë përsëri dhe të votojnë.
Kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Dashtevski, theksoi se duhet të mbështetet propozimi i Stojanovskit duke folur për detyrimet e ndërmara në Kushtetutën tonë nga dokumentet ndërkombëtare në të cilat jemi nënshkruese – Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut dhe Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
“Nëse meret parasysh Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut e cila parasheh se çdonjëri mund të votojë nën kushte të njëjta dhe se askush nuk mund t’ia kufizojë votimin atëherë nuk e di nëse mund të veprojmë kështu sepse kemi opsion, tani opsioni është me gjurmë të gishtit”, tha Dashtevski.
Propozimi i Kondarkos mori mbështetje nga nënkryetarja e KSHZ-së, Ditmire Shehu, e cila theksoi se KSHZ është këtu që të organizojë zgjedhje të lira dhe demokratike dhe tu mundësojë të drejta të njëjta, por se me momentin që do tu mundësojë të votojë për dy lloje me një të shkuar nuk nënkupton se ua shkurton të drejtën të garantuar me kushtetutë qytetarëve./MIA