KSHZ: Deri në orën 15:00 më shumë dalje për Parlamentaret

Deri në orën 15:00, KShZ ka marrë të dhënat për pjesëmarrjen e votuesve për zgjedhjet presidenciale nga 2.271 vendvotime. Nga numri i përgjithshëm i regjistruar 1.172.912 në këto vendvotime, kanë votuar 393.576 respektivisht 33,73 %.

Dalje më të madhe deri më tani për zgjedhjet presidenciale ka në Novaci, me 52,32 %. Dalja më e ulët për zgjedhjet presidenciale është në Likovë, me 3,60 %.

Krahasuar me raundin e dytë të Zgjedhjeve presidenciale në vitin 2019 kemi rritje të daljes prej 3,39 % në këto zgjedhje. Ndërsa, krahasuar me raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale 2024 kemi ulje prej 0,84 %.

Sa i përket daljes për parlamentaret, deri në orën 15:00 kanë arritur të dhëna për daljen e votuesve prej 2.136 vendvotimeve.

Nga numri i përgjithshëm i regjistruar i votuesve prej 1.113.441 në këto vendvotime, kanë votuar 416.915, respektivisht 37,44 %.

Dalje më e madhe për momentin për zgjedhjet parlamentare ka në Kriva Pallankë, me 58,18 %.

Dalja më e ulët për zgjedhjet parlamentare është në Qendër Zhupë, me 19,74 %. Krahasuar me zgjedhjet parlamentare në vitin 2020 kemi rritje të daljes prej 5,66 % në këto zgjedhje.

Deri në këtë moment në KShZ janë dorëzuar gjithësej 405 parashtresa për mbrojtjen e së drejtës zgjedhore.

Prej tyre 176 kundërshtime janë miratuar dhe votuesve u është mundësuar ta realizojnë të drejtën e tyre të votës, 18 kundërshtimet janë hedhur poshtë si të parregullta, ndërsa 58 kundërshtime janë refuzuar.

Raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale mbahet pasi asnjë nga kandidatët nuk arriti të sigurojë më shumë se 50 për qind të votave të të gjithë votuesve të regjistruar në raundin e parë të votimit.

Në zgjedhjet e 11-ta parlamentare qytetarët do të mund të zgjedhin një nga 17 listat e kandidatëve për deputetë.

Votimi zhvillohet në gjashtë njësi zgjedhore dhe disa nga koalicionet dhe partitë kanë lista vetëm për zona të caktuara. Në zgjedhje janë gjithsej 1.755 kandidatë, nga të cilët 1.002 janë meshkuj dhe 753 femra.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share