Kryeministrja e Serbisë viziton Kosovën

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç, po qëndron të hënën në Kosovë, vizita e parë e saj në vend prej se është zgjedhur kryetare e qeverisë serbe, në vitin 2017.

Gjatë vizitës së saj njëditëshe, ajo do të qëndrojë në komunat në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Zveçan dhe Leposaviç – ku popullata shumicë është serbe. Më 2 shtator, autoritetet e Kosovës lejuan vizitën e saj, në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit për vizitat e ndërsjella të zyrtarëve politikë.

Në delegacionin e Bërnabiçit është edhe drejtori i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, dhe drejtori i Zyrës për Teknologji informative dhe e-Qeverisje, Mihaillo Jovanoviç.

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 1180x200

Pritet që Bërnabiç të mbajë një fjalim para Qendrës Multimediale në Mitrovicën e Veriut.
Më herët, Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë tha se kjo vizitë është “domethënëse dhe e rëndësishme” dhe se qëllim i saj është ruajtja e paqes dhe stabilitetit.

Vizita e Bërnabiçit në komunat veriore të Kosovës vjen pasi Prishtina dhe Beogradi ranë dakord për shfuqizimin e dokumenteve hyrëse-dalëse, të cilat Serbia ua lëshonte qytetarëve të Kosovës qysh në vitin 2011.

Kur Qeveria e Kosovës ndërmori masa reciproke nga 1 gushti, disa serbë lokalë në veri ngritën barrikada, për t’i penguar autoritetet në zbatimin e vendimit të tyre. Për shkak të rritjes së tensioneve, Prishtina zyrtare e shtyu zbatimin e atij vendimi për 30 ditë.

Ndërkohë, i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, dhe i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ndërhynë, duke biseduar me palët si në Prishtinë, ashtu edhe në Beograd.

Dy vendet arritën marrëveshjen për heqjen e dokumenteve hyrëse-dalëse më 27 gusht.

Megjithatë, Kosova nuk hoqi dorë nga vendimi i dytë, i cili ka të bëjë me riregjistrimin e veturave me targa serbe në targa RKS – Republika e Kosovës.

Ky proces filloi më 1 shtator dhe do të zgjasë dy muaj.

Beogradi pret negociata edhe për këtë çështje, përkatësisht propozon targa neutrale ndaj statusit të Kosovës, por këtë gjë Prishtina e refuzon.

Vlerësohet se 10.000 vetura me targa si: KM (Mitrovicë e Kosovës), PZ (Prizren), UR (Ferizaj) e të ngjashme, të lëshuara nga Serbia, qarkullojnë në komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

Ato targa u hoqën në komunat në jug të Ibrit rreth 10 vjet më parë, në bazë të një marrëveshjeje midis Kosovës dhe Serbisë për lirinë e lëvizjes./REL

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 300x250
Lexo gjithashtu
Total
0
Share