Kryeministri Kovaçevski dënoi ngjarjet e fundit në veriun e Kosovës

“Incidenti i armatosur në Kosovë agjendë e dikujt”

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut ka dënuar ngjarjet e së dielës në veriun e Kosovës dhe ka shprehur mbështetje për policinë e Kosovës dhe misionin e KFOR-it. Pavarësisht se kryeministri tha që, Maqedonia e Veriut nuk rrezikohet nga ndonjë destabilizim i situatës si rrjedhojë e këtyre ngjarjeve, ai shtoi se aktet e tilla mund të jenë burime të trazirave në gjithë rajonin.

“Nuk ka asnjë bazë për ndonjë shqetësim në shtetin tonë sa i përket situatës së sigurisë. Megjithatë ajo që po ndodh në Kosovë, fillimisht dua të shpreh edhe njëherë shqetësim të thellë, të dënojë atë që ndodhi, sepse atje u vra një polic i cili ishte pjesë e strukturave të sigurisë së shtetit të Kosovës. Ai ishte një akt i dhunës që nuk i duhet askujt dhe të gjithë u vërtetuam se nuk sjell asgjë të mirë, se sjell trazira jo vetëm në Kosovë por në gjithë rajonin”, tha Dimitar Kovaçevski.

Kovaçevski beson se pas ngjarjeve të së dielës, fshihet agjendë e caktuar për destabilizim të rajonit.

“Sigurisht se pas asaj që ndodhi dje në Kosovë, ka ndonjë agjendë të dikujt që duan ta shohin këtë rajon të jetë sërish rajon i trazirave, rajon të zënkave mes fqinjëve, megjithatë fatmirësisht ka politikanë, siç janë politikanët edhe te ne edhe në Shqipëri, besoj se ka në të gjitha shtetet e rajonit, që duan ta shohin rajonin të integruar në Bashkimin Evropian”, tha Kovaçevski.

Ngjarjet e djeshme në veriun e Kosovës i kanë dënuar ashpër edhe liderët e partive politike shqiptare në vend./KlanMacedonia

Lexo gjithashtu
Total
0
Share