Kryediplomatët e BE-së takohen me homologët nga Ballkani Perëndimor

SITUATA E SIGURISË, BASHKËPUNIMI BE-BALLKANI PERËNDIMOR TEMA TË DISKUTIMEVE

Ministrat e Jashtëm të shteteve të Bashkimit Evropian do të takohen të hënën, më 13 nëntor, në Bruksel me homologët e tyre nga Ballkani Perëndimor, për të diskutuar për një sërë temash me interes të përbashkët. Ky është takim tradicional dhe atij do t’i prijë përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell.

Situata e sigurisë në rajon dhe më gjerë dhe bashkëpunimi mes BE-së dhe vendeve të rajonit në fushën e politikës së jashtme dhe sigurisë, pritet të jenë temat kryesore të takimit.

Zhozep Borrell tha se takimi i ministrave të Jashtëm me ata të Ballkanit Perëndimor, dëshmon se sa i rëndësishëm është ky rajon për bllokun.

“Do të diskutohen edhe propozimet e Komisionit Evropian nga paketa e zgjerimit dhe do të insistohet në afrimin më të madh në fushën e politikës së jashtme, pasi disa vende nuk po dëshmojnë përshtatje me politikën tonë të jashtme dhe sanksionet” – tha Zhozep Borrell, përfaqësues i lartë i BE-së.

Kryediplomatja gjermane, Annalena Baerbock, tha se zgjerimi i BE-së është një çështje kyçe gjeopolitike për stabilitetin dhe paqen dhe kjo është posaçërisht e rëndësishme për rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Në konferencën e Berlinit ne tashmë e kemi bërë të qartë se zgjerimi është jo vetëm çështje gjeopolitike, por po ashtu e forcon edhe BE-në, se zgjerimi mund ta bëjë më të fortë nga brenda, sidomos kur është fjala për reformat. Prandaj, është e rëndësishme që partnerët nga rajoni t’i përfshijmë edhe në çështjet që lidhen me të ardhmen e Evropës, e jo vetëm t’i dëgjojmë një herë në vit” – tha Analena Berbok, kryediplomate gjermane.

Në prag të takimit të sotëm të ministrave të Jashtëm të BE-së me kolegët e tyre nga Ballkani Perëndimor, disa vende të BE-së kanë dërguar së bashku një “non-paper”, përmes së cilit kërkojnë thellimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe politikës së jashtme para se këto shtete të bëhen anëtare të bllokut evropian.

Këtë letër e kanë nënshkruar Austria, Kroacia, Republika Çeke, Italia, Greqia, Sllovenia dhe Sllovakia. Këto shtete kanë propozuar që ministrat e shteteve të Ballkanit Perëndimor të ftohen më shpesh në takime me kolegët e tyre nga BE-ja, përfshirë edhe në takime joformale dy herë në vit. Po ashtu, ata kanë propozuar edhe pjesëmarrjen e kohëpaskohshme të përfaqësuesve të shteteve të rajonit në takimet e Komitetit për siguri dhe politikë të BE-së. /KlanMacedonia/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share