Kritika për deklaratën e Gërvallës

Në aspektin e sigurisë, pa ShBA-në dhe NATO-n, Bashkimi Evropian është një “Paper Tiger” (Tigër Letre).

Kështu ka deklaruar Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, të shtunën në panelin “Ballkani Perëndimor: Një momentum i ri euro-atlantik” të Forumit të Dubrovnikut.

Ajo ka vlerësuar se Bashkimi Evropian nuk mund të garantojë paqe dhe siguri në Evropë.

E kjo deklaratë e Gërvallës ka arritur në veshin e të dërguarit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, i cili ishte i pranishëm në panel tha se “BE-ja është larg së qeni perfekt, por është më i miri që kemi”.

“Është unioni më i suksesshëm i shteteve. Nuk ka union shtetesh në këtë planet që ka sjellë stabilitet më të madh politik, prosperitet ekonomik dhe respektim të të drejtave… Ende mendoj se bashkimi me BE-në është realizim i ëndrrave të vendeve që po trokasin në dyert e BE-së”, deklaroi Lajçaku.

Ai tha se arsyeja se pse shtetet e Ballkanit Perëndimor, përpos Kroacisë, nuk po arrijnë të bëhen pjesë e BE-së, është për shkak të rezultateve të dobëta nga ta.

Në mbrojtje BE-së i doli edhe amerikani Escobar, që ishte po ashtu aty i pranishëm. Ai tha se nuk pajtohet me Gërvallën, sepse, sipas tij, çdo e arritur në gjeneratën e fundit në Ballkan, ka qenë “kombinim i bashkëpunimit Evropë-ShBA”.

“Politika jonë në Ballkan ka mbetur shumë konsistente që nga të ‘90-tat, dhe pres të vazhdojë kështu. Politika jonë bazohet në tri shtylla: e para është integrimi evropian, më vjen keq që s’pajtohem me kolegen time kosovare, por gjithçka pozitive që ka ndodhur Ballkan gjatë gjeneratës së fundit ka qenë kombinim i bashkëpunimit evropian-amerikan, prandaj integrimi është aspirimi ynë më i lartë për rajonin, janë evropianë, janë kulturalisht, financiarisht dhe historikisht evropianë, dhe duhet të jenë pjesë e klubit, dhe kur të bëhen, çdo vend që i është bashkuar BE-së, është bërë më demokratik, më stabil dhe më prosperues”, deklaroi zyrtari amerikan i angazhuar në çështjet e Ballkanit Perëndimor.

Ai shtoi se dikush edhe mund të thotë se BE-ja ka dështuar, por “unë do të thosha se zgjerimi ka qenë një nga zhvillimet më pozitive të gjeneratës sonë”.

Pos ndërkombëtarëve, Gërvalla kritika mori edhe nga partitë opozitare në vend.

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, tha se deklarata e Gërvallës është papërgjegjësi, siç u shpreh, e përzier me megallomani dhe injorancë.

“Evropa tigër prej letre, deklaron Ministrja e Jashtme e Kosovës në një konferencë ndërkombëtare. Çfarë papërgjegjësie, e përzier me megallomani dhe injorancë. Zatën, këto të trija rëndom shkojnë bashkë. Sa për referencë, “ tigër prej letre” i ka quajtur Mao Zedong SHBA-të”, ka shkruar tutje Çitaku.

E zëdhënësja politike e LDK-së, Sibel Halimi, ka thënë se ministrja e ka goditur BE-në, siç u shpreh ajo, si një “një tigër prej letre” duke aluduar se BE-ja u dashka t’i jap siguri Kosovës dhe, siç shkroi ajo, eventualisht të hyjë në luftë për të, njofton Klankosova.tv.

Halimi tha se është e mjerë dhe e rrezikshme gjendja diplomatike e Kosovës.

“Përderisa Kosova po përjeton ditët e zymta nën sanksionet e BE-së, çohet një ministre nga Kosova, që për fat të keq të shtetit të ri – qëlloi të mbajë postin e krye diplomates – dhe i kërkon llogari BE-së për sigurinë. Thuajse blloku i vendeve evropiane i detyrohet personalisht zonjës Gërvalla-Schwarz!?Ajo e godet BE-në si ‘një tigër prej letre’ duke aluduar se BE-ja u dashka t’i jap siguri Kosovës dhe eventualisht të hyjë në luftë për të”, ka thënë Halimi.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka reaguar pasi ministrja Donika Gërvalla e quajti Bashkimin Evropian “tigër letre”.

Ai përmes një postimi në Facebook tha se diplomacia publike e Qeverisë së Kosovës, edhe njëherë e vendosi Republikën e Kosovës, siç u shpreh ai, në një kurs fyes dhe të përplasjes direkte me perëndimin, ShBA-në dhe BE-në.

Tahir, tutje tha se askush nuk e ka besuar qe Kosova do të bie, siç u shpreh ai “në këtë derexhe”, përcjell Klankosova.tv.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share