Kryeministri Dimitar Kovaçevski, para fillimit të Konferencës së parë ndërqeveritare në Këshillin e Bashkimit Evropian, deklaroi se në këtë ditë madhështore për Republikën e Maqedonisë së Veriut, përfshihet puna e një numri të madh liderësh në vend, por edhe mundi dhe puna e të gjithë qytetarëve.
“Pas 17 vitesh pritje, pas 17 vitesh marrje të vendimeve të vështira, të rëndësishme, patriotike, Republika e Maqedonisë së Veriut sot fillon bisedimet për anëtarësim të plotë në BE. Në këtë ditë madhështore përfshihet puna, mundi i të gjithë qytetarëve të shtetit, pavarësisht përkatësisë etnike, fetare apo çfarëdo përkatësie tjetër. Është përfshirë mundi dhe puna e një numri të madh të liderëve të shtetit që nga pavarësia e tij, që nga Presidenti i parë Kiro Gligorov, Kryeministri Klusev, përmes Presidentit Boris Trajkovski, Cërvenkovski dhe kryeministra të tjerë, ministra të shtetit. Të gjithë të punësuarit në institucionet që kanë punuar në përgatitjet e Republikës së Maqedonisë së Veriut për fillimin e bisedimeve.
Ky është edhe rezultati i vendimit të madh që qytetarët kanë marrë përmes deputetëve të tyre në Kuvend në ditët e kaluara, ku e kemi thënë shumë qartë se jemi një vend që është Evropë dhe që i përket qytetërisht, historikisht dhe në çdo mënyrë tjetër BE-së. E nisëm këtë ditë të madhe me një konferencë të përbashkët për shtyp dhe një takim me Kryetaren e BE-së, me Kryeministrin e Shqipërisë, qytetarëve të të cilit dua t’i uroj gjithashtu për fillimin e bisedimeve me BE-në, si dhe me Kryeministrin çek, i cili kryeson BE-në. Dua të falënderoj Presidentin francez Makron, kancelarin gjerman Sholc dhe të gjithë presidentët dhe kryeministrat e tjerë të 27 vendeve anëtare të BE-së, për të cilat Republika e Maqedonisë së Veriut po fillon sot bisedimet me BE-në”, deklaroi Kovaçevski.