Kovaçevski: Emërimi i Xhaferit për kryeministër teknik konform ligjit

“GJITHA PARTITË JANË TË DETYRUAR TË MARRIN PJESË NË QEVERINË TEKNIKE”

Kryeministri Dimitar Kovaçevski ka hedhur poshtë pretendimet se duke propozuar kryeparlamentarin aktual Talat Xhaferi për kryeministër teknik, është shkelur ligji për Qeveri.

Kovaçevski tha se, nuk është shkelur asnjë ligj dhe veprojnë sipas asaj që është paraparë me ligj, duke shtuar se, presidenti i shtetit ia jep mandatin koalicionit që ka më së paku 61 deputetë në Kuvend.

“Ashtu ndahen mandatet, kështu që me atë nuk shkelet asgjë. Gjithçka që është paraparë është e paraparë me ligj. Me ligj nuk ka improvizim. Pyetja paraprake ishte sundimi i së drejtës dhe respektimi i ligjit. Nuk mund të kërkojmë që të respektohen disa ligje, ndërsa ligjet e tjera të shohim se çfarë të bëjmë nëse nuk respektohen. Ligjet ekzistojnë për t’u respektuar”, tha Dimitar Kovaçevski.

Kovaçevski përsëriti se, është detyrim i të gjitha partive politike që të marrin pjesë në qeverinë teknike, duke theksuar se çdo parti duhet t’i delegojnë përfaqësuesit e tyre në përputhje me ligjin.

“Qeveria teknike është detyrim ligjor, njëjtë sikurse është për mua obligim ligjor që 100 ditë para qeverisë të jap dorëheqje me çka e gjithë qeveria praktikisht është në dorëheqje. Është detyrim i gjithë partive politike të marrin pjesë në qeveri e cila duhet të zbatojë zgjedhjet në nivel teknik. Me atë do të kemi proces demokratik në të cilën nuk do të ketë asnjë njollë dhe vlerësojë se të gjitha partitë në pajtueshmëri me ligjin duhet të delegojnë përfaqësues në qeverinë teknik e cila punon 100 ditë”, tha Kovaçevski.

Zgjedhjet parlamentare do të mbahen më 8 maj të vitit të ardhshëm, ndërsa qeveria teknike duhet të votohet më 28 janar. Por, VMRO – DPMNE ende nuk ka marrë vendim të prerë nëse do të propozojë anëtarë në këtë qeveri./KlanMacedonia

Lexo gjithashtu
Total
0
Share