Korridori 8 dhe 10D: Grubi koordinator – VMRO-DPMNE akuza për keqpërdorime

PROJEKTE 2.5 MILIARDË EURO PËR ZHVILLIMIN EKONOMIK

Pas përfundimit me sukses të negociatave me konzorciumin Bechtel&Enka dhe vënien e gurrthemelit të Korridorit 8, e së shpejti edhe të atij 10-D, për arsye të rëndësisë së madhe të projekteve të filluara për ndërtimin e rrugëve Shkup – Bllacë, Kërçovë – Bukojç, hekurudhën Kërçovë – Lin, kontrollet e përbashkëta kufitare me Republikën e Shqipërisë dhe Republikën e Kosovës dhe realizimin e Korridorit 8, Qeveria në mbledhjen e fundit, sic njofton KlanM, ka emëruar Zv/Kryeministrin e Parë, Artan Grubin, koordinator të të gjitha aktiviteteve ndërsektoriale me qëllim të realizimit të tyre në kohë.

“Këto projekte, bashkë dhe me të tjera të ndërlidhura, tejkalojnë vlerën e 2.5 miliardë euro të cilat do ta zhvillojnë ekonominë e vendit tonë, do të hapin vende të reja pune, do të rrisin kompanitë vendore dhe do ta përmirësojnë cilësinë e jetës” – ka shkruar Grubi në Facebook.

Dy ditë nga ceremonia e shtrenjtë për nisjen e ndërtimit të Korridorit 8, nuk vijojnë punimet, mungon mekanizimi, s`ka punëtorë, nuk ka nisje të ndërtimit – thonë nga VMRO-DPMNE-ja, sic njofton KlanM, duke adresuar kritika ndaj LSDM-së dhe BDI-së se janë mjeshtër për promovimin e projekteve të rreme.

NAUM STOILKOVSKI – ZËDHËNËS I VMRO-DPMNE-së

“Vallë ceremonia ishte e nevojshme që të shpërlahet Artan Grubi nga skandali që lidhet me ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10 ose duhej që të sigurohen para për firma të afërt me BDI-në, kur tashmë nuk ka mjete për shtypjen e librave shkollor? Kjo është pasqyra për të ardhmen me LSDM-në dhe BDI-në. Ceremoni të shtrenjta, firma të afërta me ta dhe place të boshatisura ndërtimore” – tha Naum Stoilkovski, zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.

Të martën në Tetovë, sic percjell KlanM, Qeveria organizoi manifestimin e vënies së gurthemelit të projektit Korridorit 8, i cili shënoi fillimin e ndërtimit të autostradës moderne, bashkëkohore Tetovë – Gostivar, Gostivar – Bukojçan, Trebenishte – Strugë – Qafë Thanë,  projekte që do të realizohet nga konzorciumi amerikano-turk, Bechtel -Enka.

Ky projekt cilësohet si projekti më i madh që nga historia e pavarësisë së Maqedonisë dhe kap vlerën mbi 1.3 miliardë euro. /KlanMacedonia/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share