“Gjithë kjo katrahurë është si pasojë e papërgjegjshme nga qeveria e kaluar” – ka deklaruar Arben Taravari nga VLEN gjatë një prononcimi televiziv.
Sipas tij, çështja e gjuhës shqipe është dashur të mbyllet dhe problemi të mos trashëgohet.
Taravari gjatë një prononcimi për “Ora News” i ka quajtur jashtë çdo logjike dhe norme njerëzore veprimet e Gjykatës Kushtetuese.
ARBEN TARAVARI
“Më gëzon fakti shumë që gjykatësit shqiptarë do ta bojkotojnë këtë seancë, sepse kjo që bënë Gjykata Kushtetuese është jashtë çdo logjike dhe jashtë çdo norme. Nëse merret një vendim që duhet të revidohet komplet ligji, kjo do të jetë situatë jo e mirë për shqiptarët por edhe për tërë vendin”
Është prononcuar edhe një tjetër eksponent i koalicionit VLEN. Përmes një shkrimi në Facebook, Bilall Kasami, thotë se kur po vjen koha e përgjegjësisë dhe sic thotë, kur të korruptuarit e BDI-së duhet të përgatiten për në burg, integristëve iu kujtohen çështjet shqiptare.
BILALL KASAMI
“Po unë ju them se sa u përket çështjes kombëtare, Aliu dhe bashkëpunëtorët e tij, le të flejnë rehat sepse çështjet e shqiptarëve janë në duar të sigurta, e mbrohen nga gardianët e vërtetë shqiptarë. A nëse nuk i zë gjumi për krimet që kanë bërë, atëherë me keqardhje them se nuk mund t`i ndihmojmë as ne, por nuk do i shpëtojnë as planet e tyre për destabilizim”
Gjykata Kushtetuese nuk ka dashur t`i komentojë reagimet politike. Pas reagimeve të bujshme, njoftuan se mendimin e tyre do ta bëjnë publike pas përfundimit të seancës.
Epilogu mbetet i pasigurtë, veçanërisht pas paralajmërimeve se gjykatësit Shqiptarë, Osman Kadriu dhe Naser Ajdari, do ta bojkotojnë seancën e 11 dhjetorit, nëse pranohen të 18 dispozitat me të cilat konstestohet ligji për gjuhët.
Në opinion shtrohet pyetja nëse mungesa e Gjykatësve shqiptar të Kushtetueses sjell në pikëpyetje çështjen e miratimit të vendimit.
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, kohë më parë deklaroi se miratimi I një vendimi të këtillë duhet të bëhet me prezencën e të 9-të gjykatësve kushtetues. /tvklan.mk