Kongreset e ASH-së/ Mbrëmë Kongresi i krahut të Taravarit, të dielën i Ziadin Selës!

Delegatët që morën pjesë në Kongresin e jashtëzakonshëm të ASH-së, të thirrur nga Kryetari aktual, Arben Taravari, njëzëri kanë konfirmuar kandidaturën e tij për president të vendit dhe kanë shfuqizuar vendimet që javën e kaluar I miratoi Kuvendi partiak në krye me Ziadin Selën.

Krahas këtyre dy vendimeve delegatët miratuan edhe ndryshime dhe plotësime të Statutit të partisë, ku sic njoftuan nga ASH-ja, kanë implikime në funksionin Kryetar i Kuvendit të partisë.

“Prej gjithsejt 739 delegatëve në nivel republikan, 421 ishin present. Vlen të theksohet se të tre pikat e rendit të ditës kaluan me votime unanime prej 420 votave “pro”, përvec pikës së parë që kishte një votë të abstenuar” – tha Blerant Ramadani.

Kanë reaguar nga krahu i Ziadin Selës, të cilët Kongresin e mbrëmshëm e kanë quajtur jolegjitim. Sipas tyre, Kongresi i vetëm legal, mbahet të dielën, më 18 shkurt, me fillim në ora 13:00 në sallën e Operas dhe Baletit në Shkup.

“Sa i takon Kongresit, atë e thërret Kryetari i partisë, ose 2/3 e kuvendarëve. Kongresin e thirrën 2/3 e kuvendarëve të pranishëm në Kuvendin e vetëm legal të thirrur nga kryetari i Kuvendit, Ziadin Sela. Sa për të ashtuquajturin Kongres të cilin e kanë thirrur, dje për sot, ka një sërë shkeljesh. Në rradhë të parë, nuk janë ftuar delegatët e Kongresit, as zyrtarët më të lartë, as deputetët, as shumica e delegatëve, që tregon se po përgaditet falsifikimi i radhës” – thuhet në njoftimin e ASH-së.

Para nisjes së Kongresit, kreu I ASH-së, deklaroi se për kundërkandidat në garën presidenciale do të dëshironte liderin e BDI-së, Ali Ahmetin.

“z.Ahmetin do të kisha dashur, realisht, ta kem kundërkandidat. Do të ishte interesant”  – tha Arben Taravari.

Ndryshe, ASH-ja është formuar në vitin 2015. Në vitin 2017 hyri në koalicion qeveritar me LSDM-në dhe BDI-në, por, pa bërë një vit braktisi qeverinë dhe kaloi në opozitë. Në vitin 2023 sërish u bë pjesë e Qeverisë.

Pas mospajtimeve midis Taravarit dhe Selës, u ndërruan dy ministrat e krahut të Taravarit. Në vend të tyre u emëruan mbështetës të Selës. /tvklan.mk/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share