Klan Debat: Mexhiti – ka ardhur koha të vehet rendi në Shëndetësi!

KUSHTET NËPËR SPITALE, EKSODI I MJEKËVE – SFIDA KRYESORE

E pranon edhe Ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti – Situata nëpër disa Spitale të vendit është katastrofale.

Ai në Klan Debat dha të dhëna shokuese se me çfarë mjetesh punojnë mjekët nëpër spitale.

“Absolutisht, punohet me mjete të ndryshkura dhe unë ndjej keqardhje për këtë. Më besoni. Nëse ne fillojmë tani të çojmë inspeksione nëpër të gjitha këto spitale, besoni se gjysmat e spitaleve në Maqedoni nuk i plotësojnë kushtet për të qenë spitale. Ato duhet të mbyllen” – tha Fatmir Mexhiti, ministër i Shëndetësisë.

Sikur kjo të mos mjaftonte, shqetësime për shëndetësinë në vend paraqet edhe eksodi i mjekëve.

“Në 10 vitet e fundit janë diku tek 3.000 mjekë që kanë shkuar në shtetet perëndimore dhe në shëndetësinë private. Viti i fundit, 2022 kanë shkuar 1.000 mjekë. Deri në prill të këtij viti 75 mjekë” – tha Fatmir Mexhiti, ministër i Shëndetësisë.

Sipas Ministrit Mexhiti, për sferën e shëndetësisë, ka ardhur koha që të vehet rendi, transparenca dhe llogaridhënia, me qëllim që gjërat të lëvizin nga zeroja.

“Unë përgjigjem për veten si Ministër i Shëndetësisë dhe kabinetin tim. Ata që nuk do ta kryejnë punën e të japin llogaridhënie në 6 muaj, nëse nuk e bëjnë punën, kush të dojë të jetë, qoftë edhe i Aleancës për Shqiptarët nga vij unë, do të shkojë te puna prej ku ka ardhur apo do të shkojë në shtëpi” – tha Fatmir Mexhiti, ministër i Shëndetësisë.

Pas vitit të ri, tridhjetë klinikat të cilat nga viti 2007 funksionojnë veç e veç, sërish do të bashkohen në një institucion shëndetësor, paralajmëroi Ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti.

Projekti është drejt fundit, vetëm duhet të merr “dritë jeshile” nga Qeveria. Ministri Mexhiti, thotë se nuk frikësohet nga presionet partiake pasi me bashkimin e klinikave do të hiqen më shumë se 50 pozita drejtorësh që llogariten si kuadra partiak. /KlanMacedonia/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share