Klan Debat: ASH-ja në Qeveri dhe ”beteja” me numrat?!

ALIU DHE LIMANI: SHUMICA QEVERITARE NUK ËSHTË STABILE

Për Lëvizjen Besa, hyrja e ASH-së në qeveri, paraqet zhgënjim. Sipas nënkryetarit të kësaj partie, Fatmir Limani, kjo po ndodh në moment më të papërshtatshëm, kur shumica e popullatës ka pritur bashkimin e faktorit opozitar shqiptar, që sipas tij, do të sillte ndryshimin e shumëpritur. Limani në Klan Debat ftoi ASH-në dhe Taravarin që të mos bëhen pjesë, siç tha, e të keqes, të cilën e kanë detektuar së bashku. Sipas tij, situata në qeveri lidhur me numrat është e brishtë, kurse “Grupi i Zjarrit” në BDI ka nën kontroll gjashtë deputetë.

“Nuk janë dy… Kastriot Rexhepi, Zejdi, Koxhaxhiku, Izeti. Janë edhe dy deputetë tjerë që nuk dalin, nuk shpërfaqen. Ne i njohim, por ata nuk janë pjesë e bisedës sonte dhe nuk është korrekte t’i përmendim” – tha Fatmir Limani, nënkryetar i Lëvizjes BESA.

Nga partia Alternativa thonë që nuk janë kundër hyrjes së ASH-së në qeveri por kundër mënyrës se si është paketuar i gjithë procesi. Nënkryetari i kësaj partie, Amir Elezi, thotë që nëse do t`u vinte një ofertë e gatshme në tavolinë, do shqyrtohet në organet e partisë se si të veprohet më tej.

”Ne nuk jemi kundër hyrjes së Aleancës në qeveri por jemi kundës asaj se si paketohet e gjithë kjo. Po propagandohet kinse kjo bëhet për të siguruar dy të tretat apo 80 votat. Nëse do të jepet një ofertë e mirë merr – le, ne sigurisht ne do ta diskutojmë në kuadër të partisë” – tha Amir Elezi, nënkryetar i AAA-së.

Për analistin politik, Qenan Aliu, LSDM dhe BDI e ftojnë ASH-në në qeveri për interesa të tyre, ndërsa edhe kjo e fundit do t’i kyçet shumicës për interesa të saj partiake e jo për të ardhmen evropiane të vendit.  Aliu shtoi se ASH-ja në qeveri nuk hyn për të arritur numrin e 80 deputetëve, por për ta ruajtur 61 deputetët.

“Shumica aktuale nuk i ka 61 vota… Konstelacioni i forcave aktualisht, sipas një analize timen, është 60 me 60. Nëse deputetë e ASH-së nuk bëjnë kuorum Parlamenti nuk mund të funksionojë” – tha Qenan Aliu.

Për analistin politik Qenan Aliu, Alternativa nuk duhet të largohet nga qeveria për shkak se sipas tij, kjo parti hyri në qeveri për t`i ndihmuar procesit. Aliu vlerëson se në shtator mund të ketë zgjedhje të parakohshme të cilat, sipas tij, do të jenë të pashmangshme. /KlanMacedonia/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share