Nga dega BDI – Butel thonë se këshilltarët e tyre në këtë komunë nuk e kanë votuar buxhetin për vitin 2025 pasi po diskriminohen shqiptarët dhe etnitë tjera.
“Të nderuar qytetarë,
Ne, këshilltarët nga radhët e BDI-së në Komunën e Butelit, kemi për borxh t’ju informojmë për ndodhitë në Komunën e Butelit. Si këshilltarë shqiptarë, kemi shpresuar se do të ketë ndryshime për gjithë qytetarët e Komunës së Butelit pa dallim përkatësive të kombit, sepse ne kemi vënë dorën në ndërgjegje dhe s’kemi bërë asnjëherë dallime nacionale dhe gjithnjë i kemi përkrahur për çdo lloj projekti, donacione etj. me shpresë që edhe ata të na kthejnë të mirën me të mirë.
Dhe, këtë vit vendosëm të mos e votojmë Buxhetin për vitin 2025, arsyeja është që t’i themi STOP keqpërdorimit të buxhetit të përbashkët të qytetarëve si maqedonas, shqiptarë, turq etj.
Përkujtojmë se në këtë Buxhet participojnë edhe qytetarët dhe biznesi shqiptar, gati gjysma e buxhetit të komunës, ndërsa nuk kemi kërkuar asgjë më shumë sesa investine edhe në lagjet ku banojnë shumica e shqiptarëve. Edhe lagjet tona kanë të drejtë të gëzojnë ndriçim publik, rrugë më të mira, arsim të denjë dhe infrastrukturë moderne sikurse në lagjet tjera të banuara me maqedonas.
Të dashur qytetarë,
Edhe vet jeni dëshmitarë të situatave të pakëndshme, konkretisht ndasivë etnike kur janë në pyetje investimet nga Komuna e Butelit.
Edhe pse në Programin për zhvillim kanë qenë të shënuara projektet dhe se do të punohet pa ndasi, ju sigurojmë se premtimet për lagjet tona janë realizuar në shkallë prej vetëm 1%.
I bëjmë me dije Komunës se shqiptarët nuk duan të ngelin vetëm si premtime në programet parazgjedhore, por ne duam që me buxhetin e komunës të realizohen programet gjatë viteve që caktohen.
Dëshmi se ka ndasi etnike tregon edhe rasti më i fundit për ujësjellësin në fshatin Lubeten. Edhe pse i njëjti financohet me 800.000 dollarë nga Ambasada Amerikane dhe Këshilli e votoi njëzëri, punët në terren kanë ngecur” – thuhet në kumtesë.