KEM: 110 ankesa për thyerje të etikës nga internet protalet për vitin 2023

GJUHA E URREJTJES NË MEDIA NË RRITJE PARA ZGJEDHJEVE

Gjuha e urrejtjes, tendencat e mediave dhe shkelja e rregullave të etikës nga ana e mediave online shënon rritje në periudhën parazgjedhore. Të dhënat e nxjerra nga Këshilli për Etikë në Media në Maqedoni tregojnë se vërehet tendencë e rritjes së informacioneve të cilat nuk janë informata apo janë dezinformata. Nga KEM thonë se 30% të ankesave ose vendimeve të sjella për shkelje të kodit etik të gazetarëve, kanë të bëjnë me shkeljen e nenit të parë të kodit, ku gjithmonë lënë hapësirë se ka një dezinformacion jo të saktë. Mbi 90 për qind e mediave të cilat shkelin kodin etik të gazetarëve janë pikërisht mediat online.

“Kjo tendencë e shpërndarjes së dezinformatave do të rritet para zgjedhjeve. Për shkak se fuqitë e mëdha si ato biznesore apo partitë politike shfrytëzojnë raste të tilla për të shpërndarë infromata të cilat janë në interes të tyre. Përdorin mekanizma të ndryshme për të deportuar deri te opinioni publik, për të përfituar sa më shumë në interes të tyre”, tha Nora Kaliçi.

Vendin e dytë me shkelje të etikës në media e zënë urrejtja dhe nxitja e dhunës apo diskriminimi mbi çfarëdo lloj baze. Gazetari Petrit Saraçini thotë se ngjarjet të cilat ndodhin në rrafshin global si lufta në Ukrainë, konflikti në Gazë apo në Izrael e rrisin gjuhën e urrejtjes dhe polarizimin në shoqëri.

“Raporti i fundit i ‘Reporterëve pa kufi’ theksoi se partitë politike edhe në pushtet edhe në opozitë kanë krijuar sistemet e tyre paralele mediatike, nëpërmjet të cilave tentojnë të ushtrojnë propagandë dhe të bindin qytetarët për të votuar për to. Për fat të keq kjo ju bën dëm edhe qytetarëve por edhe mediave profesionale dhe sistemi mediatik në përgjithësi, për shkak se mediat veç më nuk e ushtrojnë rolin e tyre të mbrojtësve të interesit publik, por bëhen mashë apo instrumente në duart e partive politike”, tha Petrit Saraçini.

Sipas Saraçinit, kjo katrahurë që po krijohet nuk i bën mirë askujt. Të gjithë duhet të kontribuojnë edhe mediat, institucionet, partitë politike por edhe sistemi arsimor./KlanMacedonia

Lexo gjithashtu
Total
0
Share