Katastrofë natyrore nga shpërthimi i digës në Ukrainë

Jens Stoltenberg: Ky është një akt i egër që tregon edhe një herë brutalitetin e Rusisë

Shkatërrimi i digës Nova Kakhovka nga forcat ruse në verilindje të qytetit ukrainas Kherson solli menjëhërë katastrofë mjedisore.

“Niveli i ujit nga degët e lumit Dnipro në Kherson është rritur me një metër. Do të shohim çfarë do të ndodhë më pas, por shpresojmë për më mirë”, thotë Oleksandr Syomyk, banor.

Rrugët dhe shtëpi të shumta të përmbytura është kjo pamja që vjen pas shpërthimit të digës. Qyteti ukrainas i kontrolluar nga Rusia tani është nën ujë.Rreth 600 shtëpi janë shkatërruar nga rrjedhja e fuqishme e ujit ndërsa gjendja e jashtëzakonshme është shpallur në rajon. 

Zyrtarët ukrainas kanë bërë të ditur se niveli i ujit në qytet mund të rritet deri në 12 metra , ndërsa 22,000 njerëz që jetojnë në 14 vendbanime në rajonin jugor Kherson të Ukrainës janë në rrezik. 885 persona janë evakuuar deri më tani nga zonat e përmbytura në rajonin Kherson. Punonjësit e policisë së bashku me ekipet e shpëtimit të Shërbimit Shtetëror të Emergjencave janë vënë në dispozicion  për të dërguar qytetarët në vende të sigurta.

Ekziston rreziku që furnizimi me ujë të pjëshëm në Krime të ndërpritet duke shkaktuar kështu një tjetër katastrofë humanitare. Diga Nova Kakhovka furnizon me ujë gadishullin e Krimesë të Ukrainës dhe centralin bërthamor Zaporizhzhia, të dyja nën kontrollin rus. 

Imazhet që qarkullojnë në mediat sociale tregojnë një shpëthim të madh dhe çarje masive në digën në Nova Kakhovska, në verilindje të Kherson. Ekspertët shprehen se situata mund të bëhet katastrofike pas shpërthimit të digës.

“Së pari mendoj për njerëzit në zonën e poshtme të qytetit Nova Kakhovka pasi ata janë vërtet në rrezik. Ata duhet të shpëtohen. Më pas mendoj për rindërtimin e strukturës. Mendoj se është vërtet një punë e vështirë dhe ndoshta është e mundur vetëm kur të përfundojë lufta. Kjo është një sfidë vërtet e madhe për ta bërë këtë”, thotë hidrologu, Arnd Hartlieb

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e cilësoi shpërthimin një akt terrorist dhe krim lufte. “Shkatërrimi i digës së hidrocentralit Kakhovka vetëm konfirmon për të gjithë botën se ata duhet të dëbohen nga çdo cep i tokës ukrainase. Nuk duhet t’u lihet asnjë metër, sepse çdo metër e përdorin për terror, u shpreh Zelensky.

Nga Bratislava Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg,  u shpreh se shkatërrimi i digës Kakhovka tregoi brutalitetin e Rusisë.

“Agresioni i Presidentit Putin kundër Ukrainës ka ndryshuar mjedisin tonë të sigurisë. Shkatërrimi i digës Kakhovka sot vë mijëra civilë në rrezik dhe shkakton dëme të rënda mjedisore. Ky është një akt i egër që tregon edhe një herë brutalitetin e Rusisë”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-së, Jens Stoltenberg.

KlanNews

Lexo gjithashtu
Total
0
Share