Kapen 300 kg kanabis në doganën e Malit të Zi, droga u fut me kamion nga Shqipëria

300 kilogramë kanabis sativa janë sekuestruar në doganën e Malit të Zi. Policia ka njoftuar se droga u gjet në një kamion ku brenda ishin babë e bir, i pari shoqërues, ndërsa tjetri shofer i mjetit. Në kamionin e këtyre dy personave që janë nga Durrësi u gjet sasia e lëndës narkotike. Kamioni ishte ngarkuar me dërrasa dhe paleta që kishin destinacion Austrinë.

“Gjatë natës, në doganën e Malit të Zi, si rezultat i inteligjencës policore dhe kontrollit të detajuar nga autoritetet doganore të Malit të Zi, është  bllokuar një kamion tip “Renault”, i drejtuar nga shtetasi K. O. që shoqërohej nga babai i tij, shtetasi I. O., të dy banues në Durrës. Gjatë kontrollit në kamionin e ngarkuar me dërrasa dhe me paleta, që kishin destinacion Austrinë, autoritetet doganore të Malit të Zi, gjatë kontrollit të detajuar, kanë gjetur një sasi rreth 300 kg lëndë narkotike cannabis sativa”, njoftoi policia.

Pas kësaj, Policia shqiptare dhe ajo malazeze po kryejnë veprime të përbashkëta hetimore për dokumentimin e kësaj veprimtarie kriminale.

Droga, siç duket nga këto pamje, ishte ndarë në 180 pako. Policia nuk sqaron ende nëse babë e bir janë arrestuar nga autoritetet malazeze./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share