Intervistë e Besart Ibraimit për Shkëndija Chanell
Sulmuesi kërçovarë Besart Ibraimi nuk ka fshehur kënaqësinë për kthimin e tij në Shkëndijë pas tre viteve. Golashënuesi më i mirë në historinë e futbollit të Maqedonisë së Veriut dhe Shkëndijës me shumë entuziazëm pranon se kthimi në folenë e tij e ka përmbushur shpirtërisht, derisa beson fuqishëm se me forca të unifikuara, klubi e tifozët bashkarisht do të kthejnë titujt në Tetovë.
…Emocionet e kthimit…
Besart Ibraimi: “Me të vërtetë jam shumë i lumtur, pasi që momentet më të mira të karrierës sime i kam kaluar në Shkëndijë. Jam i plotësuar! Falënderimet i takojnë Zotit. Falënderit pronarit të klubit, bordit, kryesisë që më mundësuan sërish të jap kontribut për këtë fanellë. Jam falënderues edhe për Tetovën, për Ballistët që me çdo kusht kanë dashur që unë të jap kontribut dhe të mbyll karrierën këtu.”
…Tetova…
Besart Ibraimi: “Unë Tetovën e ndjej si shtëpinë time, familjarisht jemi të lidhur për Tetovën. Kështu që do ta shijoj të jap sërish kontribut për Shkëndijën”.
…Krahas anës emocionale, vjen edhe me ambice sportive?…
Besart Ibraimi: “Normal se po. Ky qytet dhe kjo tifozeri meritojnë shumë më shumë se sa u është dhënë periudhën e fundit. Kështu që do të mundohem në mënyrën më të mirë të kontriboj që në fund të shpërblehemi me trofe dhe ta gëzojmë Tetovën, t’i gëzojmë “Ballistët”, të gëzojmë shqiptarët e Maqedonisë. Sepse 80% e popullatës mendoj se e kanë mendjen dhe sytë ka Shkëndija, pasi është simbol për të gjithë ne”.
…besimi për sukses…
Besart Ibraimi: “E kam ndjej se gjithmonë tifozeria, Tetova, “Ballistët”, kanë qenë mirënjohës ndaj meje dhe çdo herë do të mundohem që këtë falënderim t’ua shpërblej me tituj që ata i meritojnë. Unë besoj, për atë edhe kam ardhur. Do të mundohem në çdo moment të jap më të mirën dhe në fund pse jo të dalim kampion dhe të jemi të gjithë të kënaqur.”