nterpelanca ndaj kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi duhet të shqyrtohet sot në mbledhjen e parë plenare pas pushimit të deputetëve. Interpelanca është dorëzuar nga grupi parlamentar i partisë E Majta dhe sipas paralajmërimeve mbështetje do të japë LSDM-ja opozitare, ndërsa VMRO-DPMNE dhe partneri i saj i koalicionit “VLEN” nuk do të japin mbështetje.
Kryetari i Kuvendit në brifingun me gazetarë më 27 gusht tha se interpelanca do të jetë pika e parë e rendit të ditës në seancën e caktuar për sot. Interpelanca, siç paralajmëroi atëherë, nuk mban politikisht. Ai shpreson se në seancë do të ketë ballafaqim argumentesh dhe siç tha, “do të veprojë ashtu siç do të vendos plenumi”.
Në një prononcim për televizionin “Sitel”, dhënë dje, Gashi tha se do të dëshironte që çdo deputetë të votojë dhe të vendos sipas bindjes së tij.
Në intervistën për televizionin Sitel dhënë dje, Gashi tha se secili deputet të votojë dhe të vendos sipas bindjeve të tij.
“Interpelanca është një mjet demokratik që na mundëson të japim llogari para deputetëve dhe qytetarëve. Do të respektoj çdo vendim që do ta marrë Kuvendi. Është mirë që të gjithë kemi mendime të ndryshme dhe ky është thelbi i demokracisë, ndërsa do të ishte keq nëse do të kishte një mendje të vetme, sistem që e kanë kaluar. Jam i lumtur që ka një interpelancë për të shpjeguar disa gjëra që janë paraqitur në publik. Do të elaboroj gjithçka ashtu siç ka qenë dhe shpresoj që deputetët të vendosin sipas ndërgjegjes së tyre. Kam një shpirt të qetë dhe një ndërgjegje të pastër që nuk kam shkaktuar me asgjë histeri të tillë në publik. Në interpelancë në thelb nuk ka asgjë që janë shkelur parimet e punës së Kuvendit apo janë shkurtuar të drejtat e një deputeti apo grupi të deputetëve, por bëhet fjalë për tema të parëndësishme për disa media që duan pëlqime dhe komente në rrjetet sociale”, tha Gashi.
Nuk pajtohet se ka shkelur autorizimet e tij, duke shtuar se e kryen punën e tij me ndershmëri dhe përgjegjësi ashtu siç di. Ai është i bindur, siç tha, se e vërteta do të dalë në shesh.
Nuk ka asnjë bazë për interpelancë të kryetarit të Kuvendit Afrim Gashi, tha madje dje kryeministri Hristian Mickoski n përgjigjen e pyetjes së gazetarëve për interpelancën e Gashit. Mickoski është i vendosur se grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së nuk do ta përkrahë një interpelancë të tillë.
“Absolutisht, qëndrimi ynë është i qartë si VMRO-DPMNE dhe si grup parlamentar i koalicionit “Maqedonia yte” e udhëhequr nga VMRO-DPMNE se kjo është sjellje e papjekur, do të thosha marrëzi e koalicionit të LSDM-së, BDI-së dhe të Majtës dhe se absolutisht nuk ka asnjë bazë për interpelancë të kryeparlamentarit Gashi. Ne nuk do ta përkrahim një iniciativë të tillë”, deklaroi Mickoski.
Kryeministri dha një sërë argumentesh pse nuk e mbështesin interpelancën për kryetarin e Kuvendit, Gashi.
“Sepse dallimi në udhëheqjen e Maqedonisë në mes të kësaj Qeverie dhe asaj të udhëhequr nga LSDM-ja dhe BDI-ja është i madh, gjegjësisht tashmë ndihet dhe kudo në Maqedoni vërehet se shpresa e qytetarëve është që më në fund do t’ia dalim, se mjaftueshëm janë mposhtur dhe se më në fund do të fitojmë”, tha Mickoski.
Edhe nga Trupi koordinues politik i koalicionit “VLEN” të dielën pas mbledhjes së mbajtur informuan se nuk do ta mbështesin interpelancën sepse sipas tyre është një eksperiment politik i pakuptimtë dhe tentativë për destabilizim.
“Shprehim mbështetje të parezervë dhe unanime për kryetarin Afrim Gashi, duke theksuar se kjo interpelancë është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj institucioneve shtetërore dhe integrimit euro-atlantik të vendit. Kjo është një iniciativë e parashtruar nga partia anti-NATO, “LEVICA”, me mbështetje të hapur nga LSDM dhe të fshehur nga BDI, të cilat në fakt po testojnë një koalicion opozitar të zgjeruar në dëm të interesave strategjike”, kanë thënë në VLEN.
Nga opozita paralajmëruan se do të votojnë për interpelancën sepse në periudhën e kaluar janë bërë shumë shkelje.
“Qëndrimi im personal është se interpelanca e kryetarit të Kuvendit duhet të përkrahet për shkak se shumë shkelje janë bërë dhe në opinion ishim ne ata që informuam për këto punë. Jo vetëm ne, institucione dolën dhe e kanë konstatuar shkeljen e rregullave të caktuara të sjelljes së funksionarëve”, tha dje lideri i LSDM-së, Venko Filipçe.
Interpelanca për Gashin është iniciuar nga grupi parlamentar i partisë E Majta dhe bazohet në 7 pika. Sipas Të Majtës, kryetari i Kuvendit ka punuar në mënyrë joprofesionale, jo kushtetuese dhe joprofesionale dhe ka shkelur laicitetin e shtetit, sepse ka lejuar kryerjen e riteve fetare gjatë njërës nga seancat e komisionit. Në interpelancë përmendet edhe rasti i presidentes së Kosovës, ndërsa sipas kësaj partie kryeparlamentari ka shkelur përdorimin e gjuhës maqedonase sepse betimin që ka bërë si kryetar tashmë i zgjedhur e ka thënë fillimisht në gjuhën shqipe, jo në gjuhën maqedonase.