Infermierët organizojnë grevat më të mëdha në Britani

Dhjetëra mijëra punonjës kërkojnë një rritje të pagave për shkak të inflacionit që është më i larti në katër dekadat e fundit

Punonjësit e shëndetësisë në Britani filluan grevën e tyre, ndërsa dhjetëra mijëra infermierë dhe punonjës të ambulancës protestojnë për paga më të mira.

Pjesmarrja në protestë është jashtëzakonisht e madhe ku mijëra punonjës me pankarta në duar mbushën disa rrugë kryesore në Britani. Kjo kërkesë e tyre për rritje pagash vjen për shkak të inflacionit më të lartë në katër dekada. Një marshim i madh është parë në qendër të Londrës, pasi infermierët thonë se janë të shqetësuar për të ardhmen në vend.

“Epo, mendoj se tashmë mund të shohim rënien e aplikimeve për të studiuar infermierinë. Unë mendoj se do ta kemi gjithnjë e më të vështirë të rekrutojmë pasi shumë njerëz e kanë lënë profesionin tashmë sepse janë kaq të zhgënjyer. Duket si një e ardhme shumë e zymtë.”

Infermierët pritet të zhvillojnë protesta përgjatë gjithë javës ku pritet t’i bashkohen edhe fizioterapistët duke shënuar kështu një nga proptestat më të mëdha në historinë e Britanisë. Rreth 500,000 punëtorë, shumë nga sektori publik, kanë organizuar greva që nga vera e kaluar, duke shtuar presionin ndaj kryeministrit Rishi Sunak për të zgjidhur mosmarrëveshjet dhe për të kufizuar ndërprerjen në shërbimet publike si hekurudhat dhe shkollat.

Në fillim të këtij muaji gjysmë milionë punonjës të sektorit publik, përfshi 300 mijë mësues, hynë në grevën më të madhe në më shumë se një dekadë. Ata kërkuan rritje pagesh në kushtet kur inflacioni ka shkuar në më shumë se 10% dhe se kjo kërkesë bëhet edhe më emergjente.

Sunak tha në një intervistë javën e kaluar se qeveria po përballet me zgjedhje të vështira dhe se do të financojë Shërbimin Kombëtar të Britanisë në fusha të tjera për t’i siguruar pajisje mjekësore dhe ambulanca.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share