Hetimi i OLAF zbulon keqpërdorim të fondit “Erasmus Plus” në shumën e 2.2 milionë euro

Një hetim i kryer nga Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF) ka zbuluar parregullsi në menaxhimin e fondeve të programit “Erasmus Plus”, duke çuar në një kërkesë për rimbursimin e 2.2 milionë eurove të keqpërdorura. Drejtori i Agjencisë Kombëtare për Programe Evropiane të Arsimit dhe Lëvizshmërisë, Marko Gjorgievski, ka konfirmuar se janë identifikuar parregullsi në dosjet e projekteve të 22 përfituesve të granteve dhe se një procedurë parahetimore është në zhvillim nga Prokuroria Themelore Publike për ndjekjen penale të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Gjorgievski ka theksuar se Agjencia është në komunikim të vazhdueshëm me institucionet relevante për të përcaktuar hapat e ardhshëm dhe për të marrë udhëzime mbi zbatimin e rimbursimit. Ai gjithashtu ka bërë të ditur se Agjencia ka dërguar një kërkesë për informacion shtesë në lidhje me kontrollet e OLAF-it tek Drejtoria e Policisë Financiare në Ministrinë e Financave.

Ndërsa Agjencia është e angazhuar në një fushatë për transparencë dhe mbrojtjen e fondeve të BE-së, përfshirë raportimin anonim të parregullsive, Gjorgievski ka bërë thirrje për mirëkuptim nga publiku, pasi detajet e rastit nuk mund të bëhen publike për shkak të natyrës së procedurës parahetimore. Ai ka siguruar se Agjencia do të vazhdojë të bashkëpunojë ngushtë me prokurorinë dhe të gjitha dokumentet janë në dispozicion për hetimin e mëtejshëm të çështjes.

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 1180x200
PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 300x250
Lexo gjithashtu
Total
0
Share