Hapja e negociatave, Meta: E vonuar, por ditë e shkëlqyer për Shqipërinë

Në një konferencë për mediat, presidenti Ilir Meta ka përshëndetur hapjen e negociatave mes Shqipërisë e BE. Meta e ka cilësuar si një ditë vendimtare që përveçse sjell mundësinë për të ardhmen, përball gjithashtu edhe realitetin e vendit duke pasqyruar edhe të metat e tij. Megjithatë, ai ka inkurajuar shqiptarët në këtë proces si një rrugë që do sigurojë paqen e begatinë, ndërsa iu bëri thirrje institucioneve për reflektim.

“Dua të përshëndes edhe njëherë përzemërsisht vendimin strategjik të BE për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. E sotmja, edhe pse një ditë shumë e vonuar, është një ditë e shkëlqyer për Shqipërinë duke hedhur një hap të ri përpara në rrugën tonë europiane. Ky është një gur kilometrik i vendosur bashkarisht nga shqiptarët dhe miqtë tanë europianë. E sotmja është një ditë e shkëlqyer edhe për rajonin tonë sepse tregon që vazhdon të gëzojë përkrahjen dhe mbështetjen europiane. Ky është një sinjal i qartë që perspektiva europiane e rajonit është e gjallë dhe alternativa e vetme për paqen, sigurinë dhe stabilitetin.

E sotmja është një ditë vendimtare për të ardhmen, një ditë ku duhet të ballafaqohemi me realitetin ashtu siç është. E vërteta është se kemi humbur shumë kohë. Dokumenti i miratuar nga BE është pasqyra e plotë që na zbulon të gjitha të metat, luhatjet, çorientimet, punët e pabëra apo të bëra keq. Korniza negociuese i përmban edhe kushtet e Bundestagut, edhe shqetësimet e Hollandës, edhe vërejtjet e Francës, edhe të gjitha këto shqetësime të shprehura në rezolutën e fundit të Parlamentit Europian. Transformimi tërësor i një vendi kërkon vullnet, kërkon kërkon mund, kërkon punë të vazhdueshme. Iu bëj thirrje qytetarëve shqiptarë të mos bien pre e fushatave që duan të na dekurajojnë dhe minojnë rrugën tonë europiane.

Anëtarësimi i Shqipërisë në BE është një proces që ia vlen çdo përpjekje dhe sakrificë sepse është e vetmja rrugë që garanton që shtëpia jonë e përbashkët të ketë atë paqe, siguri e begati që për fat të keq ende bashkëqytetarët tanë ende e kërkojnë në Gjermani, Francë, Itali, Britani e vende të tjera. U bëj gjithashtu thirrje të gjithë institucioneve pa përjashtim që të reflektojnë pa vonesë ndaj detyrave urgjente që kërkon ky proces. Është në dorën tonë dhe vetëm në dorën që deri në anëtarësimin e plotë të kalojnë 5 apo 30 vite të tjera. Urime të gjithë qytetarëve shqiptarë dhe mirënjohje të gjithë miqve tanë që sot i kemi më të shumrë e më të afërt se dje”./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share