Grupi islamik palestinez, Hamas tha se nuk do të marrë pjesë në një raund të ri të bisedimeve të armëpushimit në Rripin e Gazës të shpallur të enjten në Katar.
Shtetet e Bashkuara kanë thënë se presin që bisedimet indirekte për një armëpushim të zhvillohen në Doha të enjten siç ishte planifikuar dhe se një marrëveshje për këtë çështje është e mundur.
Disa zyrtarë iranianë thanë se vetëm një marrëveshje armëpushimi në Gaza mund të jetë arsyeja që Irani të përmbahet nga hakmarrja e drejtpërdrejtë kundër Izraelit për vrasjen e fundit të liderit të Hamasit Ismail Haniyeh në Teheran, shkruan reuters.
“Hamasi është i përkushtuar ndaj propozimit të paraqitur më 2 korrik, i cili bazohet në rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe fjalimin e (Presidentit të SHBA-së, Joseph) Biden, dhe është gati të fillojë menjëherë diskutimet mbi mekanizmin e zbatimit të tij”, tha zyrtari i lartë i Hamasit, Sami Abu Zuhri.
Shkuarja në bisedime të reja do t’i lejonte pushtuesit të vendosnin kushte të reja dhe t’i shfrytëzonin negociatat për të kryer masakra të reja, shtoi Zuhri.
Ndërkohë, përleshjet intensive në Gaza vazhduan dhe sipas banorëve të Khan Younis, forcat izraelite hodhën në erë shtëpitë e tyre dhe intensifikuan sulmet përmes tankeve në pjesët lindore të qendrës së qytetit.
Izraeli deklaroi se iu përgjigj sulmit me raketa të Hamasit në Tel Aviv, duke deklaruar se në 24 orët e fundit kishte shënjestruar rreth 40 objektiva ushtarakë të Hamasit, duke përfshirë në Gaia, Khan Yunis dhe Rafah. /Telegrafi/