”Guardian”: Nëse është i implikuar Vuçiqi – sanksione të mundshme për Serbinë?!

ADMINISTRATA AMERIKANE HETON IMPLIKIMIN E BEOGRADIT

Nëse konstatohet implikimi i Presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në ngjarjet e Banjskës në Kosovë, kjo mund ta ndryshojë qasjen e SHBA-së dhe BE-së në negociatat Prishtinë – Beograd, kurse të mundshme janë edhe sanksionet për Serbinë – shkruan Gazeta londineze “The Guardian”.

Gazeta shkruan se SHBA-të deri tani kanë mbështetur negociatat dhe kanë qenë në anën e Evropës, për shkak se pjesën më të madhe të fajita për mosuksesin e tyre ia kishin adresuar Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit. Por, administrata e Presidentit amerikan, Xho Bajden, siç përcjellë Klan M, tani heton implikimin e Beogradit zyrtar në njësinë paraushtarake dhe po përpiqet të zbulojë misionin e grupit.

“Gjithnjë është më e qartë se ka pasur skenar për të shkaktuar konflikt, në mënyrë që ushtria serbe të hyjë e ta mbrojë popullin serb në veri dhe në këtë mënyrë të bëhet ndarja e Kosovës. Ky operacion, pa marrë parasysh se kush është përgjegjësi në Beograd, ka tejkaluar linjën e kuqe që Perëndimi mund ta tolerojë. Kjo situatë nuk u provokua nga Kurti, siç komentohet në Beograd. Përkundrazi, ai tregoi pjekuri, kurse policia e Kosovës dëshmoi profesionalizëm” – tha Sonja Biserko, KH Serbi.

Ish Zv/Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Edvard Xhozef, për “Guardian” ka deklaruar se nëse Beogradi qëndron pas grupit paramilitary që sulmoi policinë e Kosovës në Banjskë, SHBA-të do të duhet ta rishqyrtojnë qasjen e tyre ndaj rajonit.

“Poenta është se thirrjet për dialog janë bosh tani kur u shkatërua strategjia e përgjithshme amerikane – të kultivohet Serbia e Vuçiqit si partner. Mohimet e njohurive të Vuçiqit janë po aq të besueshme sa politika iluzionare e SHBA-së ndaj Serbisë” – deklaroi Edvard Xhozef, Universiteti ”Xhon Hopkins” Uashington.

Ndërkohë, Gjenerali amerikan në pension, Uesli Klark, për Radion Evropa e Lirë përcjellë Klan M, ka deklaruar se sulmi në Banjskë duhet ta shqetësojë BE-në dhe NATO-n, për shkak se paraqet problem të vërtetë për stabilitetin e Ballkanit.

Sipas tij, ngjarjet në Kosovë kanë lidhshmëri me dhunën në Ukrainë, duke shtuar se Rusia e shfrytëzon Serbinë si agjentin e saj dhe se Moskës i konvenon situata jo e qetë në Kosovë me luftën e saj hibride që është duke e zhvilluar.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share