Ky vendim e çon qeverinë skoceze një hap larg largimit nga Mbretëria e Bashkuar
Parlamenti skocez nuk mund të mbajë një referendum të dytë për pavarësinë nga Mbretëria e Bashkuar pa miratimin e qeverisë britanike.
Kështu ka vendosur gjykata supreme e Mbretërisë së Bashkuar, në një vendim unanim që mund të zemërojë nacionalistët skocezë, të cilët thonë se e ardhmja e vendit varet nga votuesit skocezë.
Menjëherë pas vendimit ka reaguar ministrja e Parë e Skocisë, Nicola Sturgeon, lidere e Partisë Kombëtare Skoceze që mbështet lëvizjen për pavarësi.
“Dhe për të shmangur çdo dyshim, sot besoj ashtu si dje se referendumi është mënyra më e mirë për të përcaktuar çështjen e pavarësisë. Fakti është se Gjykata Supreme nuk po e braktis rrugën e referendumit, Uestminster po e bllokon atë. Ne duhet dhe do të gjejmë një mjet tjetër demokratik, ligjor dhe kushtetues me të cilin populli skocez mund të shprehë vullnetin e tij”, ka thënëNicola Sturgeon.
Në një referendum në vitin 2014, skocezët nuk pranuan t’i jepnin fund bashkimit më shumë se 300-vjeçar me Anglinë, duke votuar 55% kundër pavarësisë nga Mbretëria e Bashkuar në referendumin e mbajtur në atë kohë.
Aktivistët që kërkojnë pavarësinë besojnë se referendumi do të kishte rezultate të tjera nëse mbahet sërish tani, dy vite pas largimit të Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian, gjë që skocezët e kishin kundërshtuar.
Klan News