Gjykata Kushtetuese kundër grafës etnike në certifikata

“KA DISPOZITA KONTESTUESE QË NUK JANË NË PAJTUESHMËRI ME KUSHTETUTËN”

Gjykata Kushtetuese vë në dyshim kushtetueshmërinë e vendosjes së grafës etnike në certifikatat e librave amë të lindjes, të të vdekurve dhe kurorëzimit. Me këtë, në seancën e sotme, gjykata vendosi të fillojë procedurë, pasi sipas saj përkatësia nacionale është private dhe ndjenjë e brendshme e çdo individi.

“Gjykata Kushtetuese në periudhën vijuese do të vlerësojë a është kushtetuese që përkrah të dhënave personale të theksuara siç janë emri dhe mbiemri, të dhënat e lindjes dhe vendbanimit, qytetarët ta theksojnë edhe nacionalitetin e tyre në librat amë të lindjes, të kurorëzimit dhe të vdekjes” – tha Hristina Belovska, Gjykata Kushtetuese.

Zëdhënësja e gjykatës shtoi se, është e drejtë e çdo individi tyre të vendosë a do të jetë pjesëtar i ndonjë nacionaliteti të caktuar, a do të deklarohet për nacionalitetin e tij, por edhe të thirret në të drejtën për të mos u deklaruar për këtë dhe pikërisht për këtë është ngritur procedura.

“Gjykata Kushtetuese vlerëson se këto dispozita të kontestuara nuk janë në pajtueshmëri me Kushtetutën, me disa nene të Kushtetutës, përkatësisht me sundimin e së drejtës, të përfshirë me nenin 8 alineja 3, më pas në nenin 18 që garanton fshehtësinë e të dhënave personale” – tha Hristina Belovska, Gjykata Kushtetuese.

Kjo nënkupton se, nga sot dhe deri në vendimin përfundimtar të gjykatës, nuk duhet të kërkohen të dhëna të këtilla nga qytetarët për nacionalitet.

Grafa e përkatësisë etnike në certifikata erdhi si Udhëzim i ministrit të Drejtësisë, Krenar Lloga për t’i shmangur rastet e punësimeve në administratë, ku qytetarë të kombësive tjera, me një deklaratë noteriale ndryshonin përkatësinë etnike dhe zinin vendet e punës të rezervuara për bashkësitë përkatëse etnike. /KlanMacedonia/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share