Gjermania, Franca dhe Britania thirrje për armëpushim në Gazë

2141948207

Gjermania, Franca dhe Britania bënë thirrje të hënën për arritjen e armëpushimit në Gazë, ndërsa Izraeli po pret për një sulm në shkallë të gjerë.

“Lufta duhet të përfundojë tani dhe të gjitha pengjet që ende mbahen nga Hamasi duhet të lirohen. Populli i Gazës ka nevojë për shpërndarje urgjente dhe pa pengesa të ndihmës”, thanë udhëheqësit e tri vendeve të hënën.

Në deklaratën e nënshkruar nga Presidenti francez Emmanuel Macron, Kancelari gjerman Olaf Scholz dhe Kryeministri britanik Keir Starmer, tre vendet evropiane mbështesin gjithashtu planin e fundit të ndërmjetësimit nga Shtetet e Bashkuara, Katari dhe Egjipti për t’i dhënë fund luftës 10-mujore Izrael-Hamas.

Propozimi kërkon shkëmbimin e pjesës së mbetur të pengjeve me palestinezët e burgosur nga Izraeli dhe tërheqjen e trupave izraelite nga Rripi i Gazës. Ai i bën thirrje edhe Iranit dhe aleatëve të tij që të përmbahen nga sulmet ndaj Izraelit si hakmarrje për vrasjen e dy udhëheqësve të grupeve militante në Bejrut dhe Teheran.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant tha të hënën se bisedoi me Sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Lloyd Austin, në kuadër të përgatitjeve për një sulm të mundshëm ushtarak në shkallë të gjerë ndaj Izraelit.

Sekretari Austin tha se Shtetet e Bashkuara do të ndërmarrin çdo hap të mundshëm për të mbrojtur Izraelin, ndërsa theksoi se prania ushtarake amerikane në Lindje të Mesme po forcohej.

Grupi luftarak i aeroplanmbajtëses ‘USS Abraham Lincoln’ po shkon në ujrat pranë Lindjes së Mesme. Në këtë zonë u dërgua edhe nëndetësja ‘USS Georgia’.

Të premten, një zyrtar i Gardës Revolucionare të Iranit u citua të ketë thënë se udhëheqësi suprem, Ayatollah Ali Khamenei, urdhëroi Iranin të “dënojë ashpër” Izraelin për vrasjen e udhëheqësit të Hamasit në Teheran, më 31 korrik./VOA

Lexo gjithashtu
Total
0
Share