Cristiano Ronaldo do të mbetet në Manchester United, së paku deri në janar.
Trajneri Erik ten Hag thotë se ai dhe ylli portugez janë në të njëjtën linjë dhe shton se nëse nuk do të donte të qëndrojë në “Old Trafford”, 37 vjeçari do të largohej gjatë kësaj vere.
Për pesë herë fituesin e Topit të Artë u spekulua shumë gjatë muajve të fundit, derisa mediat britanike shkruanin vazhdimisht se lojtari dëshiron të largohet nga “Teatri i Ëndrrave” pasi po e kërkonte një klub me të cilin do të mundë të luante në Ligën e Kampionëve.
Por, tash kur kanë mbetur edhe disa orë deri në përfundim të afatit kalimtar të verës, mund të themi se “CR7” përfundimisht do të mbetet tek “Djajtë e Kuq”.
“Kemi biseduar disa herë me Ronaldon. Ne jemi në të njëjtën faqe. Ai është i lumtur që do të qëndrojë me ne, në të kundërtën nuk do të ishte këtu”, deklaroi fillimisht trajneri holandez.
“Mënyra e lojës, kërkesat, ju mund ta shihni Ronaldon në stërvitje që ai ka aftësi. Ai do t’i përshtatet lojës sime. Unë nuk kam nevojë ta shpjegoj, ai është një lojtar i madh me kapacitet të mëdha. Ai do të përshtatet në çdo sistem dhe në çdo stil. Ne jemi në një faqe, në një linjë dhe ai e di se cilat janë kërkesat”, përfundoi ish-trajneri i Ajaxit.