Fronti opozitar shqiptar me interpelancë ndaj kryeprokurorit

“ROLI I JOVESKIT ËSHTË BËRË TEMË E DYSHIMEVE NË RASTIN E DJEGIES SË SPITALIT NË TETOVË”

Blloku opozitar shqiptar, i përbërë nga Alternativa, Lëvizja Besa dhe Lëvizja Demokratike, kanë dorëzuar sot në arkivin e Kuvendit interpelancë për punën e  kryeprokurorit publik, Lubomir Joveski. Arsyeja që çoi në këtë veprim, siç u shprehën nga opozita, është kulminacioni i punës së tij jokonsistente, jontrasnparente, kontraverse dhe humbja besimit publik ndaj institucionit të Prokurorisë Publike që ndodhi gjatë rastit gjyqësor në lidhje me djegien e spitalit modular në Tetovë, ku mbetën të vdekur tragjikisht 14 persona. Opozita konsideron se roli i Prokurorit Publik, Ljubomir Joveski, në këtë rast është bërë temë e dyshimeve.

“Presim që Kryetari i Kuvendit do ta respektojë Rregulloren e Kuvendit, ndërsa pjesa tjetër është të ballafaqohemi me argumente me kryeprokurorin Lubomir Joveski se si ka ndodhur që të digjen 14 njerëz në spital dhe përgjegjësi të mos kërkohet nga ndërmarrja që e ka ndërtuar spitalin modular, nga realizuesi i furnizimit publik, pastaj të shpjegojë se pse nuk është marrë parasysh raporti i forenzikës gjermane dhe pse është përjashtuar prokurori që në fillim ishte caktuar për këtë lëndë” – tha Merita Koxhaxhiku, deputete e Lëvizjes Demokratike.

Ndërkohë, deputeti i Lëvizjes Besa, Fadil Zeneli tha se, pavarësisht që kryeprokurori është në fund të mandatit të tij, duhet të përgjigjet për lëshimet që janë bërë gjatë procedurave për rastin e spitalit modular.

“Askush, pa marrë parasysh se në cilën periudhë të mandatit të tij është, nuk mund t’i ike përgjegjësisë për veprimet ose mosveprimet e tij. Ky është edhe një detyrim kushtetuese. Zotëri prokuror i përgjithshëm Joveski është në detyrë dhe si i tillë duhet të barte përgjegjësi për veprimet dhe mosveprimet e tij për rastin e spitalit modular në Tetovë. Do me thënë, kjo është ajo që është baza e interpelancës sonë” – tha Fadil Zeneli, deputet i Lëvizjes BESA.

Kujtojmë se, redaksia IRL në muajin gusht publikoi një hulumtim i cili përmbante informacione për tenderë të dyshimtë, lëshime gjatë standardeve të sigurisë dhe specifikacionet e tenderimit për ndërtimin e spitalit modular në Tetovë. /KlanMacedonia/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share