Ukraina po shpërndan tablet jodi për banorët në rast se ndodh një aksident bërthamor
Centrali bërthamor i Zaporizhias po i frikëson të gjithë. Autoritetet ukrainase kanë nisur shpërndarjen e tabletave të jodit për banorët në rast të një rrjedhjeje të mundshme radioaktive.
Tabletat e jodit ndihmojnë në bllokimin e përthithjes së radioaktivitetit nga gjendra tiroide në rastin e një aksidenti bërthamor.
Të gjithë banorët në qytet do të furnizohen pasi luftimet rreth impiantit mund të shkaktojnë një katastrofë.
Vendimi erdhi një ditë pasi centrali u fik përkohësisht dhe shkak sipas zyrtarëve ishte dëmtimi nga zjarri në një linjë transmetimi.
Incidenti shtoi frikën për përsëritjen e një shpërthimi të ngjashëm me atë të vitit 1986 në Çernobil.
Bombardimet e vazhdueshme dhe imazhet satelitore nga “Planet Labs” treguan zjarre që digjeshin rreth centralit bërthamor më të madh në Evropë. Aktualisht një ekip i agjencisë së energjisë atomike të OKB-së po kryen inspektime për sigurinë e centralit.
Fabrika e Zaporizhias është pushtuar nga forcat ruse dhe drejtohet nga punëtorë ukrainas që në ditët e para të luftës 6-mujore.
Reaktorët e Zaporizhias mbrohen nga kupola të trasha, të betonit që ekspertët thonë se mund t’i rezistojnë një predhe artilerie. Ata i tremben një humbjeje të mundshme të energjisë në sistemin e ftohjes dhe rrezikut të një sulmi në magazinat ku mbahen shufrat e karburantit që mund të shpërndajnë materialin radioaktiv.
Klan News