Kroacia dhe Spanja do të ndeshen në Roterdam në mbrëmjen e sotme në finalen e Ligës së Kombeve. Ballkanasit janë në kërkim të një trofeu të rëndësishëm, ndërsa dolën në vend të dytë e të tretë në dy botërorët e fundit.
Spanjollët gjenden në këtë fazë për herë të dytë radhazi, ndërsa Kroacia arrin për herë të parë pasi eliminoi Holandën në gjysmëfinale. Trajneri i përfaqësueses ballkanase, Zlatko Daliç tregon rëndësinë e këtij takimi.
“Mendoj se shanset janë 50 me 50! Kjo është një ndeshje totalisht tjetër. Është diçka e re, përfundimisht diçka e madhe. Nuk dua të vendos mbi ne barrën e të qenit favorit! Jemi këtu, kënaqemi me futbollin! U kam thënë lojtarëve që të shijojnë finalen. Nëpërmjet kënaqësisë sonë, ne mund të arrijmë rezultat”, tha Daliç.
Për trajnerin e Spanjës, Luis de la Fuente, lojtarët do të gjejnë energjitë e nevojshme për të fituar.
“Ekipi im është në formën më të mirë të mundshme në këtë sezon, fizikisht dhe mendërisht. Është koha më e mirë për ta luajtur këtë finale. Kroacia është një skuadër e nivelit të lartë me cilësi teknike dhe futbollistë me përvojë. Por ne duam që ta fitojmë këtë trofe”, De la Fuente.
“Furia e kuqe” siguroi finalen pasi mposhti Italinë në gjysmëfinalen e kompeticionit.
Klan News