Fatime Fetai heq dorë nga gara për kryetare të Prokurorisë së Lartë të Shkupit

JOLEVSKI: NJOFTIMIN E KEMI MARRË PËRMES POSTËS ELEKTRONIKE

Prokurorja Fatime Fetai është tërhequr nga gara për shef të Prokurorisë së Lartë të Shkupit. Lajmin e ka konfirmuar për disa media kryetari i Këshillit të Prokurorëve Publik, Antonio Jolevski, i cili tha se njoftimin për tërheqjen e kandidaturës së Fetait e ka pranuar përmes postës elektronike. Jolevski tha se, do të kërkojë konfirmim për besueshmërinë e informatës.

“Kemi marrë email, por nuk ka konfirmim apo mohim zyrtar. Unë kam kërkuar të më paraqitet, por ende nuk kam përgjigje” – tha Antonio Jolevski, këshilli i Prokurorëve

Pas tërheqjes së Fetait, në garë për shef të kësaj prokurori mbeten prokurori publik, Mustafa Hajrullai dhe prokurori i lartë, Burim Rrustemi. Zgjedhja e shefit të Prokurorisë së Lartë të Shkupit dhe Gostivarit, si dhe të prokurorive publike në Manastir, Veles, Gostivar, Kavadar dhe Kumanovë, duhej të ndodhë më 14 nëntor, megjithatë seancë e Këshillit të Prokurorëve u anulua, me arsyetimin se, anëtarët kanë kërkuar më shumë kohë për shqyrtimin e dosjeve të kandidatëve, pasi nuk kanë pasur kohë për të bërë këtë, meqë dosjet i kanë pranuar me vonesë. Prokurorja Fatime Fetai ka qenë pjesë e ish Prokurorisë Special. Gjatë kohës së funksionimit të kësaj prokurorie, në mesin e lëndëve që ajo ka përfaqësuar kanë qenë “Tanku”, ku për furnizimin e veturës luksoze mercedes u dënuar, ish kryeministri Nikola Gruevski, ish ministrja Gordana Jankullovska dhe Gjoko Popovski, lënda “Titanik 2”, ku të akuzuar janë Sasho Mijallkov, Menduh Thaçi dhe disa ish anëtarë të KSHZ-së, si dhe “Titanik 3”, kundër ish funksionarëve të BDI-së. /KlanMacedonia/

Përgatiti: Teuta Buçi

Lexo gjithashtu
Total
0
Share