Ministri i Drejtësisë Krenar Lloga ka paralajmëruar përshpejtim të procedurës për faljen e personave që kanë shkelur rregullat e Pandemisë, si një nga masat urgjente për lehtësimin e gjendjes në burgjet e vendit. Ai ka paralajmëruar edhe intervenime në Burgun e Idrizovës për të zgjeruar hapsirat dhe për të përmirësuar kushtet.
“Sistemi i burgjeve është i rënduar dhe një grup deputetësh në Parlament kanë bërë veprimin e duhur para se të vij unë në ministri kanë kërkuar që gjithë ata të cilët kanë marrë vendime për shkeljen e masave në kohën e Kovidit, të amnestohen, sepse 200 persona deri më tani e kanë kryer ose janë në burgje dhe mbi 300 të tjerë presin të shkojnë në burg. Kjo do ta vështirësonte akoma më shumë këtë masë. Në ndërkohë me drejtorin e burgjeve, jo më larg se sot por edhe dy takime të tjera që kemi patur javën e kaluar kemi marrë masa që ato të intervenojnë me mjete financiare që një pjesë e një aneksi që është përdorë për çështje spitalore të shndërrohet në qeli burgu që këto njerëz të marrin trajtimin e nevojshëm. Kam pasur dy-tre takime tjera me përfaqësues ambasadash dhe kam kërkuar që të n’a japin donacione që të zgjidhim këtë në mënyrë sa më të shpejtë sepse vërtetë është e turpshme për cilindo vend gjendja e burgjeve dhe aq më pak për një vend që pretendon të jetë nesër vend anëtar i Bashkimit Evropian”, tha ministri Lloga.